Një thesar i rrallë ari dhe bizhuterish është zbuluar në shpatet e malit Podkrkonosí në verilindje të Çekisë, në atë që historianët besojnë se mund të ketë qenë një përpjekje për ta fshehur nga pushtimi nazist.
Një grup alpinistësh, duke ndjekur një shkurtore në një zonë të pyllëzuar, gjetën një grumbull me peshë 7 kilogramë, me vlerë mbi 250 mijë paund. Thesari përmbante qindra monedha ari, bizhuteri të punuara me mjeshtëri, kuti cigaresh dhe një çantë të endur nga argjendi.

Miroslav Novak, drejtuesi i arkeologjisë në Muzeun e Bohemisë Lindore, u shpreh: “Kur u hap thesari, mbeta pa fjalë. Monedhat ishin të mbështjella me kujdes në copa të zeza, ndërsa kutia metalike përmbante kutia duhani, byzylykë, një çantë prej teli, një krehër dhe zbukurime të tjera nga metale të çmuara.”

Ekspertët mendojnë se thesari mund të jetë fshehur pas aneksimit të Sudeteve nga Gjermania naziste në vitin 1938 ose gjatë dëbimeve masive të gjermanëve pas Luftës së Dytë Botërore.
Sipas specialistit Vojtěch Brádle, monedhat, të datuara nga 1808 deri në 1915, kishin qarkulluar në Ballkan dhe ishin pjesë e stolisjeve tradicionale. Megjithatë, rruga që ato ndoqën deri në Boheminë Lindore mbetet një mister.
Autoritetet muzeale konfirmojnë se vlera historike e këtij thesari është “e paçmuar”, dhe kërkimet për origjinën e tij vijojnë.