FLASH :

Video/ Tha se kryeministrja e ardhshme do ishte grua, por gjesti i Ramës ia pret krahët Ballukut

Një episod i pazakontë gjatë një takimi elektoral në Fier, ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik dhe ka ndezur spekulime për një krisje të mundshme mes kryeministrit Edi Rama dhe zv.kryeministres Belinda Balluku.
Në një moment të kapur nga kamerat, Rama është parë teksa largohet nga shoqëria e Ballukut, duke preferuar të ecë përkrah një tjetër zonje, ndërsa Balluku mbetet pas, me një shtangie fytyre.

Aktiviteti kishte karakter elektoral, pjesë e fushatës së Partisë Socialiste në Fier, ku vetë Belinda Balluku është emëruar kryetare e fushatës për qarkun. Megjithatë, ky veprim i kryeministrit ka ngjallur jo pak habi dhe aludime, pasi në vend që të qëndronte pranë një prej bashkëpunëtoreve më të afërta në qeveri, ai zgjodhi të distancohej në mënyrë të dukshme.

Arsyet e këtij tensioni të dyshuar mes Ramës dhe Ballukut mbeten të paqarta. Nuk dihet nëse ky veprim i ftohtë lidhet me ndonjë konflikt të brendshëm në PS apo me çështje të tjera më serioze.
Nuk përjashtohet as mundësia që të ketë lidhje me thashethemet që kanë qarkulluar kohët e fundit, për hetime të mundshme që përfshijnë funksionarë të lartë të qeverisë, përfshirë edhe emrin e zv.kryeministres Balluku.

Një detaj që nuk kalon pa u vënë re është fakti që, historikisht, distancimet e Edi Ramës nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt kanë qenë shenjë paralajmëruese për zhvillime të mëvonshme: hetime, ndjekje penale, apo edhe arrestime të bujshme nga SPAK. Shpresa mbetet që ky të mos jetë rasti i zonjës Balluku, por precedentët e së kaluarës e bëjnë këtë skenar të frikshëm.

Ironikisht, vetë Rama disa muaj më parë kishte deklaruar se “në vitin 2029 Shqipëria do të ketë një kryeministre grua”. Një deklaratë që ndoshta kishte ngjallur entuziazëm tek Belinda Balluku dhe të tjerë eksponentë femra të Partisë Socialiste. Por, nëse Balluku ka parë ndonjëherë veten në atë pozicion, sjellja e fundit e Kryeministrit Rama nuk duket se e mbështet këtë pritshmëri.

Pranvera sapo ka nisur, por për marrëdhëniet mes Ramës dhe Ballukut, duket se po fryn një erë e akullt.