Gratë shtatzëna dhe ato që përpiqen të mbesin shtatzënë rekomandohet të kufizojnë konsumimin e kafeinës, ndonëse nuk ka ende një konsensus mbi sasinë plotësisht të sigurt të kafeinës gjatë shtatzënisë. Ekspertët sugjerojnë që gratë shtatzëna të mos konsumojnë më shumë se 200 miligramë kafeinë në ditë, që korrespondon me një deri në dy filxhanë kafe.
Një studim i fundit ka zbuluar se gratë që konsumojnë mbi 200 mg kafeinë në ditë kanë rrezik dyfish më të lartë për abort krahasuar me ato që nuk konsumojnë fare.
Pse duhet kufizuar kafeina gjatë shtatzënisë?
Kafeina është stimulante dhe mund të shkaktojë rrahje të shpeshta të zemrës, pagjumësi, ankth dhe urth për shkak të stimulimit të acidit gastrik. Këto efekte intensifikohen me avancimin e shtatzënisë, pasi organizmi e metabolizon më ngadalë kafeinën, duke bërë që ajo të qëndrojë më gjatë në gjak.
Në tremujorin e dytë, metabolizmi i kafeinës kërkon dyfish më shumë kohë krahasuar me periudhën jashtë shtatzënisë, ndërsa në tremujorin e tretë kjo kohë trefishohet. Kjo shkakton që më shumë kafeinë të kalojë placentën, duke arritur te bebja, e cila nuk e metabolizon dot. Kjo vlen edhe për nënat që ushqejnë foshnjat me gji.
Efektet tek të porsalindurit
Studimet tregojnë se foshnjat e nënave që konsumojnë mbi 500 mg kafeinë në ditë lindin me rrahje më të shpeshta të zemrës dhe flenë më pak në ditët e para pas lindjes. Nuk ka, megjithatë, lidhje midis konsumit të moderuar të kafeinës dhe lindjes së parakohshme, hipertensionit gestacional apo preeklampsisë.
Kujdes nga fenolet dhe ndikimi në përthithjen e hekurit
Një arsye tjetër për kufizimin e kafesë dhe çajit është prania e fenoleve, substanca që pengojnë përthithjen e hekurit nga zorrët. Për këtë arsye rekomandohet konsumimi i këtyre pijeve ndërmjet vakteve, për të reduktuar ndikimin negativ.
Ku tjetër gjendet kafeina?
Veç kafesë, kafeina gjendet në pije energjike, çokollatë, akullore dhe disa barna për kokëdhimbje, grip apo alergji. Gratë shtatzëna duhet gjithmonë të konsultohen me gjinekologun para se të përdorin barna apo produkte që mund të përmbajnë kafeinë.