Marrëdhënia mes reperit Big Basta dhe këngëtares Vesa Luma ka qenë në qendër të vëmendjes kohët e fundit, sidomos pas hyrjes së tij në reality show-n Ferma VIP2. Mediat kanë raportuar se Vesa nuk ka qenë dakord me vendimin e bashkëshortit të saj për t’u bërë pjesë e spektaklit, duke nxitur spekulime për një krizë në martesën e tyre.
Për të qetësuar situatën, Big Basta është kujdesur të bëjë disa dedikime publike për Vesën, duke shprehur dashurinë e tij pa rezervë. “Unë e kam ditur që në fillim që kur të hyj këtu do të jem herë 2. Vesa është këtu 100%. Mendoj që më ndjek 24/7,” deklaroi ai para kamerave të Ferma VIP.

Pak ditë më parë, gjatë një bisede me fermerët e tjerë, reperi shpjegoi kuptimin e tatuazheve që mban në trup, duke i dedikuar Vesës dhe djalit të tyre një vend të veçantë. “Ky trëndafili është djali, ndërsa këto pikat e vesës janë Vesa. Kur të bëjmë fëmijë tjetër, kismet, edhe një trëndafil tjetër,” tha ai, duke lënë të hapur idenë e zgjerimit të familjes.
Nga ana tjetër, Vesa ka reaguar me një emoji zemre në një video të publikuar nga produksioni, duke lënë të kuptohet se ose marrëdhënia e tyre është në përmirësim, ose gjithçka mes tyre mund të rregullohet.
Shkaku i krizës: Vendbanimi dhe karriera
Sipas burimeve pranë çiftit, problemet në martesë nuk nisën me hyrjen e Big Bastës në Ferma VIP, por më herët. Mësohet se çifti ka pasur mosmarrëveshje për vendbanimin: Vesa ka dashur të vendosen përfundimisht në Tiranë, ndërsa Big Basta ka shprehur dëshirën për t’u larguar sërish jashtë vendit. Përplasjet për këtë çështje janë zvarritur për muaj me radhë.
Vesa ka konfirmuar së fundmi se ka blerë një shtëpi në Tiranë dhe është në përgatitjet finale për të hyrë, një vendim që duket se ka shtuar tensionet në çift. Pikërisht në këtë kohë, ftesa për pjesëmarrjen e Big Bastës në Ferma VIP ka ndikuar në thellimin e krizës.
Dedikime publike, por mungesë reagimi nga Vesa
Gjatë qëndrimit në fermë, Big Basta nuk ka reshtur së shfaquri dashurinë për Vesën dhe djalin e tyre. “Jetët e mija, ju dua,” deklaroi ai në një tjetër moment para kamerave.
Në një tjetër episod, teksa këndonte një këngë të Vesës së bashku me banorët, ai i dedikoi asaj një puthje dhe një “Të dua”. Megjithatë, kur u pyet nga moderatorja Luana Vjollca se për kë do të ndjente më shumë mall gjatë qëndrimit në fermë, ai përmendi fillimisht vetëm djalin, duke shtuar më pas shkurtimisht “edhe familjen”, pa përmendur në mënyrë të veçantë Vesën.
Nga ana e saj, këngëtarja ka qëndruar në heshtje. Nuk ka bërë asnjë postim publik në mbështetje të reperit, duke shtuar më tej spekulimet për një krisje të mundshme.
E ardhmja mbetet e hapur
Pavarësisht thashethemeve dhe tensioneve të raportuara, Big Basta dhe Vesa Luma ende nuk janë ndarë. Të gjitha sytë janë tashmë tek përfundimi i eksperiencës së Big Bastës në Ferma VIP, ku ndoshta pas daljes së tij do të ketë më shumë qartësi mbi fatin e marrëdhënies së tyre.