FLASH :

Kallëzimi i Këlliçit çon Maznikun në Prokurorinë e Tiranës: Hetim për “Shpërdorim Detyre”

Një kallëzim i Belind Këlliçit ka çuar në Prokurorinë e Tiranës, Arbian Maznikun, ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor. Tre javë më parë Mazniku ka dhënë shpjegime në Prokurorinë e Tiranës. Hetimi për të cilin është pyetur ështe regjistruar pa emër për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.
Ministri është pyetur në kuadër të një hetimi penal të çelur më parë për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, kallëzuar nga politikani i djathtë Belind Këlliçi.

Megjithatë, rasti mund të mos ketë lidhje të drejtëpërdrejt me ministrin socialist pasi hetimi i tij nuk mund të jetë kompetencë e Prokurorisë së Tiranës, por e SPAK në kushtet kur ai cilësohet si zyrtarë i lartë i shtetit, ndaj në vazhdim priten më tepër detaje.
Një vit më parë, Arbjan Mazniku ka dëshmuar dhe në Prokurorinë e Posaçme, i kallëzuar po nga Belind Këlliçi për kohën kur ishte nënkryetar i Bashkisë së Tiranës. Në vitin 2023, ai u largua nga detyra si nënkryetar i Bashkisë së Tiranës dhe ishte një ndër njerëzit më të afërt të kryebashkiakut Erion Veliaj, sapo SPAK nisi të vepronte mbi këtë institucion.

Ishte vetë Edi Rama që e mori atë në kabinet. Arbjan Mazniku është ndër njerëzit më të akuzuar nga opozita e Tiranës, bashkë me Erion Veliaj, për prishjet e pallateve dhe banesave të qytetarëve.