Kandidatja për deputete në listën e hapur të Partisë Demokratike në Tiranë, Jorida Tabaku, ka shpërndarë një mesazh të fortë në rrjetet sociale, duke theksuar se Shqipëria ka nevojë për një model të ri ekonomik — një model që mbështet biznesin dhe forcon ekonominë familjare.
“Biznesi nuk ka nevojë për premtime boshe. Ka nevojë për siguri, për rritje, për një shtet që punon për të, jo kundër tij!”, deklaroi Tabaku, duke vënë theksin te domosdoshmëria për një klimë të qëndrueshme dhe të ndershme ekonomike.
Në mesazhin e saj, ajo rikujtoi rëndësinë e rikthimit të Takës së Sheshtë dhe vendosjes së një Kodi Fiskal të qartë dhe të drejtë, si rruga më e sigurt për të ndërtuar një ekonomi të fortë dhe për t’i dhënë familjeve shqiptare më shumë siguri financiare.
Duke kritikuar modelin aktual ekonomik që, sipas saj, ka favorizuar një pakicë të vogël gjatë 12 viteve të fundit, Tabaku u zotua se Partia Demokratike do të ndërtojë një ekonomi ku çdo qytetar të ketë mundësi të barabarta.
“Më 11 maj është dita e ndryshimit! Voto Partinë Demokratike! Voto Jorida Tabaku!”, përfundoi ajo thirrjen e saj drejtuar qytetarëve.







