Autoritetet në Kanada kanë bërë të ditur se të paktën nëntë persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e një incidenti, kur një person është futur me makinë përmes një turme njerëzish në një festival në qytetin Vancouver.
Personi i arrestuar është identifikuar si një 30-vjeçar.
“Deri tani, ne mund të konfirmojmë se nëntë persona kanë vdekur pasi një person kaloi me veturë nëpër një turmë në Festivalin e Lapu Lapu”, ka njoftuar policia e Vancouver.
“Mendimet tona janë me të gjithë të prekurit nga ky incident tragjik”, thuhet më tej në deklaratë.
“Një numër njerëzish janë vrarë dhe shumë të tjerë janë plagosur pasi një shofer u përplas me një turmë në një festival rruge,” tha Policia e Vankuverit në një deklaratë. “Shoferi është në paraburgim. Ne do të japim më shumë informacion ndërsa hetimi do të zhvillohet.”
Është e paqartë nëse përplasja ishte një aksident apo e qëllimshme, por Don Davies, një deputet që përfaqëson distriktin Vancouver Kingsway, e quajti incidentin një “sulm të tmerrshëm”.
Paraprakisht policia ka thënë se nuk besonte që rasti është një sulm terrorist, teksa motivet e sakta nuk dihen ende.










