Në një intervistë për A2 CNN, disa ditë më parë, Endrit Braimllari deklaroi se pas përfundimit të zgjedhjeve të 11 majit do të nisë një betejë ligjore kundër ish-kryetarit të tij. “Ato janë çështje me të cilat do të merrem pas 11 majit, shumë seriozisht, pasi do të kërkoj të drejtën time ligjore mbi atë çështje, por tani jam fokusuar fort te fushata,” u shpreh Braimllari.
I pyetur për largimet dhe konvertimet në radhët e Partisë së Lirisë, ai theksoi se përgjigjen për këtë e kanë dhënë vetë njerëzit që ishin më pranë ish-kryetarit. “Për sa i përket konvertimit apo largimit, përgjigjen ia ka dhënë zoti Faik Basha, kandidati që ishte përballë tij për president të partisë. Përgjigjen e ka dhënë e nderuara ish-kryetarja e gruas. Arsyet që unë kam dhënë një vit më parë, njerëzit pranë tij i dhanë pas konventës së 27 prillit. Pra është e qartë situata. Mënyra se si kanë lëvizur në këtë vit tregon se sa jo seriozë janë” u shpreh Braimllari.
Në përgjigje të këtyre akuzave, presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, reagoi duke e cilësuar Braimllarin si “simbolin e nepotizmit”. Në një intervistë në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin, Meta tha: “I vetmi dëm që na bëri është se na mori financieren e partisë për 20 vite, pa e lejuar të bënte dorëzimet në mënyrë ligjore dhe etike, siç dorëzohet një detyrë me përgjegjësi financiare. Ah po, edhe databazën e partisë.”
Meta shtoi se kryeministri Edi Rama e kishte projektuar Braimllarin për kryetar të LSI-së, por, sipas tij, tashmë prania e Braimllarit në listën e socialistëve për Tiranën është një ndihmë për Partinë e Lirisë. “Na ndihmon të marrim shumë më tepër vota socialistësh të ndershëm, që neveriten kur shikojnë shëmtira të tilla morale, që vetëm Rama mund t’i pranojë nga dëshpërimi dhe perversiteti për diversion,” theksoi Meta.







