Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me momentet e fundit të Virginia Giuffre, e cila u gjet pa shenja jete në një qytet rural të Australisë Perëndimore, ndërsa të afërmit e saj u panë të vizitonin rezidencën prej 1.9 milionë dollarësh të familjes në Perth.
Giuffre, e cila ishte trafikuar nga Jeffrey Epstein në adoleshencë, kreu vetëvrasje të premten mbrëma në fermën e saj në Neergabby. Ajo ishte një nga akuzueset më të njohura të abuzuesve seksualë të dënuar Epstein dhe Ghislaine Maxwell, duke pretenduar se ishte mbajtur si “skllave seksuale” dhe ofruar “si pjatë me fruta” për personazhe të fuqishëm.

Giuffre kishte akuzuar gjithashtu Princin Andrew për abuzim seksual kur ishte 17 vjeçe, një pretendim që princi e ka mohuar. Në vitin 2022, ai arriti një marrëveshje jashtëgjyqësore me të.
Një zëdhënës i Policisë së Australisë Perëndimore deklaroi për Daily Mail Australia se gjetjet paraprake sugjerojnë që vdekja “nuk është e dyshimtë”, ndërsa ndihma e parë emergjente ishte ofruar sapo mbërritën ekipet mjekësore.

“Të premten, më 25 prill, rreth orës 21:50, shërbimet emergjente morën një raport për një grua të gjetur pa ndjenja në një banesë në Neergabby. Fatkeqësisht, 41-vjeçarja u shpall e vdekur në vendngjarje,” thuhej në deklaratë.
Një ditë më vonë, të njohur të familjes u panë duke vizituar rezidencën luksoze të Giuffre në Ocean Reef, një vilë me gjashtë dhoma pranë bregdetit. Një burrë dhe një grua mbërritën me një automjet të zi tip Ute, që besohet të jetë në pronësi të ish-bashkëshortit të saj, Robert, edhe pse ai nuk ndodhej në automjet.
Familja e Giuffre konfirmoi vdekjen e saj në një deklaratë ku thuhej se “Virginia ishte një luftëtare e fortë kundër abuzimit seksual dhe trafikimit njerëzor”, por “pesha e abuzimeve të përjetuara ishte bërë e padurueshme”.
Vëllai i saj, Danny Wilson, i bëri homazh motrës përmes një fotografie të postuar në Facebook, ku ajo shihej mes tij dhe një burri tjetër që besohet të jetë vëllai tjetër i saj, Sky Roberts.
Virginia Giuffre kishte paditur Princin Andrew në vitin 2021, duke pretenduar se ishte abuzuar seksualisht nga ai në tre raste: në Londër gjatë një udhëtimi në vitin 2001, në rezidencën e Epstein në New York dhe në Ishujt Virgin kur ajo ishte 18 vjeç. Princ Andrew ka mohuar vazhdimisht akuzat dhe ka thënë se nuk e mban mend të ketë takuar ndonjëherë Giuffre, megjithëse një foto e tij me të, ku e mban dorën në bel, ishte përfshirë në dosjen gjyqësore.
Jeffrey Epstein kreu vetëvrasje në vitin 2019 ndërsa priste gjyqin për akuzat e trafikimit seksual të dhjetëra vajzave adoleshente, disa prej të cilave vetëm 14 vjeç.
Sipas padive, Giuffre ishte rekrutuar si adoleshente nga Maxwell, ndërsa punonte si asistente në spa-në e Mar-a-Lago, resorti i Donald Trump në Palm Beach, në vitin 2000. Fillimisht e punësuan si masazhatore për Epstein, por më pas u detyrua të shërbente seksualisht për të dhe miqtë e tij.
E lindur në Florida, Giuffre u transferua në Australi me bashkëshortin Robert në vitin 2019, përpara arrestimit të Epstein. Çifti kishte tre fëmijë. Së fundmi, Giuffre kishte publikuar foto nga një shtrat spitali në Instagram, duke thënë se i kishin mbetur vetëm pak ditë jetë pas një aksidenti të rëndë automobilistik, ku një autobus shkollor e kishte goditur me mbi 100 km/h, duke i shkaktuar dështim të veshkave.
Në foto, Giuffre shfaqte mavijosje të rënda në fytyrë dhe gjoks. Pak ditë më vonë, një zëdhënës i saj tha se ajo “kishte bërë një gabim” dhe nuk e kishte pasur qëllim ta publikonte postimin.








