Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Armando Broja, kishte fituar vendin e titullarit në dy ndeshjet e fundit të Premier Ligës me fanellën e Evertonit, ndaj Nottingham Forest dhe Manchester Cityt. Megjithatë, këtë fundjavë, situata do të ndryshojë.
Evertoni përballet në transfertë me Chelsean, klubin që zotëron kartonin e Brojës, dhe për shkak të rregullave të Premier Ligës, shqiptari nuk lejohet të luajë kundër ekipit mëmë. Për pasojë, Broja nga titullar do të kalojë në tribunë.
Ky sezon ka qenë i vështirë për sulmuesin 22-vjeçar, i cili është aktivizuar në vetëm 12 ndeshje, duke grumbulluar 424 minuta lojë pa arritur të realizojë gol ose asist. Dëmtimet serioze kanë ndikuar ndjeshëm në formën e Brojës, duke e penguar që të shfaqë potencialin e tij të plotë.






