Në Vatikan kanë mbërritur 164 delegacione shtetesh dhe përfaqësues të besimeve të ndryshme fetare për të marrë pjesë në ceremoninë madhështore të varrimit të Papa Françeskut. Mbrëmjen e kaluar, në orën 20:00, në Altarin e Rrëfimit në Bazilikën e Shën Pjetrit, u zhvillua riti i mbylljes së arkivolit të Atit të Shenjtë, sipas traditës së “Ordo Exsequiarum Romani Pontificis”. Ceremonia solemne u drejtua nga Kardinali Camerlengo dhe Mjeshtri i Festimeve Liturgjike, në prani të disa anëtarëve të familjes së Papa Françeskut.

Arkivoli i Papës u mbyll pas leximit të aktit zyrtar, ndërsa gjatë gjithë natës besimtarët vijuan lutjet e pandërprera përpara trupit të tij të ekspozuar, në pritje të Meshës së Shenjtë të mëngjesit të sotëm.
Sipas Zyrës së Shtypit të Vatikanit, në ceremoninë e varrimit marrin pjesë presidentë, kryeministra, drejtues institucionesh ndërkombëtare dhe europiane, si dhe përfaqësues të komuniteteve të ndryshme fetare. Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë e përfaqëson Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij Anastas.
Gjatë tre ditëve të fundit, një numër i madh pelegrinësh vizituan Bazilikën e Shën Pjetrit, duke i bërë homazhe Papës së ndjerë deri në orët e vona të natës. Eshtrat e tij qëndruan të ekspozuara nga e mërkura deri të premten në mbrëmje, duke ofruar një mundësi të fundit për përulësi dhe reflektim.
Kortezhi i varrimit zgjati më shumë se një orë, në një atmosferë solemniteti të thellë, ku morën pjesë kardinalë, të afërm të Papës dhe zyrtarë të Kishës. Për garantimin e sigurisë, mbi 4,000 forca policore dhe 4,000 vullnetarë të Mbrojtjes Civile u angazhuan në terren, ndërsa mbi 1,500 autobusë transportuan besimtarë dhe delegacione drejt Vatikanit.
Në ceremoninë e sotme pritet të marrin pjesë 160 delegacione ndërkombëtare, përfshirë 12 sovranë, 52 krerë shtetesh dhe 14 kryeministra. Ndër të pranishmit janë konfirmuar figura të shquara si Princi William, drejtues të institucioneve ndërkombëtare dhe personalitete të larta fetare e politike nga e gjithë bota.







