Nga Emma Ashford | Foreign Policy
Është e qartë: administrata e dytë e Donald Trump nuk po synon status quo-në në politikën e jashtme amerikane — por një ndryshim të thellë.
Nëse ndjekim thënien e famshme të Leninit, se ka dekada ku nuk ndodh asgjë dhe javë ku ndodhin dekada, atëherë 100 ditët e para të Trumpit kanë qenë sa 20 vjet ndryshimesh diplomatike.
Administrata e tij ka ndjekur një strategji “vepro shpejt dhe shkatërro gjithçka”, duke sjellë kaos në qasjet amerikane ndaj krizave ndërkombëtare: nga përpjekjet për paqe me Rusinë, tek ndërmjetësimi i një armëpushimi në Gaza, dhe kërcënimet e alternuara ndaj Iranit, të ndjekura nga propozime për marrëveshje të reja bërthamore.
Në këtë kontekst, ja katër modele shpjeguese që ndihmojnë të kuptojmë drejtimin e Trumpit:
Modeli 1: Rikthimi i Realpolitik-ës
Sipas këtij modeli, Trump po ndjek një politikë të ftohtë realizmi, duke vënë interesat kombëtare mbi idealet liberale si demokracia apo të drejtat e njeriut.
Administrata po zhvendos fokusin nga Europa dhe Lindja e Mesme drejt Kinës dhe Hemisferës Perëndimore.
Presioni ndaj aleatëve për të rritur shpenzimet ushtarake, përpjekjet për të mbyllur luftën në Ukrainë përmes negociatave me Rusinë, dhe interesimi për kontrollin e Kinës në Kanalin e Panamasë, janë të gjitha shembuj të kësaj qasjeje.
Megjithatë, modeli i realpolitikës dështon të shpjegojë politikën e pakushtëzuar pro-Izraelit dhe shkatërrimin e agjencive të fuqisë së butë si USAID apo Voice of America.
Modeli 2: Politika e Jashtme e Shtyrë nga Politika e Brendshme
Një tjetër shpjegim është se politika e jashtme e Trumpit është kryesisht një instrument për qëllime politike të brendshme.
Mbyllja e USAID-it, që lejoi kalbjen e ndihmave ushqimore, është parë si një sulm ndaj një agjencie jo të dashur për votuesit republikanë.
Politika tregtare ka shkaktuar panik në tregjet financiare, me tarifa të vëna dhe hequra sipas tekave të presidentit.
Në fjalimet e administratës, si ai i Zv.Presidentit J.D. Vance në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, vihet theksi tek vlerat konservatore dhe divergjenca kulturore me Europën.
Megjithatë, kjo qasje nuk shpjegon plotësisht politikën aktive në Lindjen e Mesme dhe mbështetjen e pakufishme ndaj Izraelit.
Modeli 3: Një Përpjekje për të Ripërsëritur Mandatin e Parë
Disa analistë besojnë se kaosi aktual është i ngjashëm me vitet 2016–2020, dhe me kalimin e kohës, administrata do të rikthehet në linjat tradicionale republikane: sovranizëm, unilateralizëm dhe fuqi ushtarake.
Në mandatin e parë, pavarësisht spektaklit të samiteve me Kim Jong-un apo diplomacisë përmes Twitter-it, politika e jashtme amerikane nuk ndryshoi thelbësisht.
Megjithatë, mospajtimet mbi Izraelin, Iranin dhe mbështetjen ndaj Ukrainës tregojnë se ky model i “normalizimit” nuk është aq i sigurt këtë herë.
Modeli 4: Luftë e Brendshme në Partinë Republikane
Kaosi mund të jetë thjesht pasqyrim i një lufte të brendshme brenda administratës.
Një fraksion nacionalist dhe proteksionist, që mbështet prioritetin ndaj Kinës dhe kundërshton ndërhyrjet globale, përplaset me tradicionalistët ndërkombëtaristë që kërkojnë vijimësinë e angazhimit amerikan në botë.
Presidenti vetë tenton të anojë nga nacionalistët, por është i ndikueshëm — siç u tregua me largimin e disa zyrtarëve më “të përmbajtur” në Pentagon apo betejat për kontrollin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare
Ende është herët për të përcaktuar një “Doktrinë Trump” të qartë në politikën e jashtme.
Kaosi, rivalitetet e brendshme dhe ngjarjet e paparashikuara do të vazhdojnë të formësojnë kursin e Shtëpisë së Bardhë.
Nëse këto 100 ditë të para janë ndonjë tregues, atëherë katër vitet e ardhshme do të jenë po aq të trazuara.







