Edhe nje televizion filo qeveritar deri në ekstrem sikurse është ai i Carlo Bollino-s, është detyruar të pranojë në sondazhin e bërë nga Instituti Piepoli, realitetin në qytetin e Shkodrës, që nuk i buzëqesh as Partisë Socialistë dhe as asaj Demokratike.
Në fakt ka rezultuar se vetëm 26% e shkodranëve të anketuar shprehen se janë të kënaqur nga qeveria, ndërkohë që nga ana tjetër 61% e qytetarëve shprehen se nuk e konsiderojnë aspak të besueshme opozitën nën drejtimin e Sali Berishës.
Në këtë tabllo, situata është e qartë. Shkodra, një bastion klasik i të djathtës, s’mund të bëhet kurrë tërësisht me të majtën, por nga ana tjetër, ka nevojë për një alternativë të djathtë, të cilën me sa duket nuk e sheh më te Berisha.
Këtu hyjnë Tom Doshi dhe PSD.
Doshi është një aleat politik i Edi Ramës dhe përfitues direkt nga tenderat e qeverisë.
Por duke parë zhgënjimin e shkodranëve si nga PS, ashtu dhe nga PD, Doshi, i këshilluar nga Rama dhe strategët e tij të fushatës, ka nisur të mbajë një retorikë të ashpër si ndaj qeverisë, ashtu edhe ndaj pushtetit lokal të PS në Shkodër, i përfaqësuar nga Benet Beci.
Në këtë mënyrë, Doshi synon që të kapitalizojë votën e shkodranëve dhe të sigurojë dy mandate në këtë qark dhe madje të synojë dhe një të tretë.
Sfida për të është e vështirë, por duke përdorur imazhin si një pinjoll me prejardhje nga një familje e persekutuar nga komunizmi dhe si një bamirës që i përgjigjet personalisht të varfërve për t’iu zgjidhur hallin, Doshi po luan kartën e bajraktarit të fortë lokal, të cilin e kërkon dhe e do komuniteti.
Kjo shpjegon ashpërsimin e tij në publik ndaj shumicës.
Pra Doshi po mundohet t’u heqë votat e të djathtëve të revoltuar Shkodrës, në mënyrë që më pas me mandatet e tij të mbështesë Ramën dhe të lërë opozitën në hendekun ku ka rënë.
Nëse shkodranët s’e kishin kuptuar ende, tani e dinë!







