Edi Rama nxitoi që pasi i morri dhjetëra të rinj Forumit Rinor Demokrat në Vlorë, t’i përdorte këta të fundit si “mish për top”.
Në fakt, kryeministri i ftoi menjëherë në podcastin e tij dhe i përdori si fishek propagande meqë jemi në fushatë, në mënyrë për të nxitur dhe të tjerë që të bënin të njëjtën gjë, pra që të ndërronin radhët partiake dhe të kalonin në PS.
PS ka kohë që po e bën këtë edhe më ish-anatërët e LSI, të cilët pas shkrirjes së kësaj partie me PD, kanë bërë kalkulimet e tyre racionale dhe i janë ribashkuar partisë së vjetër.
I ngazëllyer nga këto dy suksese, Rama tentoi edhe piruetën e radhës brenda në PD, por hasi në rezistencën e demokratit të njohur Ilir Vrenozi.
Ky i fundit e refuzoi Ramën si privatisht, ashtu edhe publikisht, gjë e konfirmuar nga të dy personazhet.
Vrenozi ka tërhequr shpesh vëmendjen e publikut në rrjetet sociale, për varfërinë në të cilën pretendon se jeton.
Por kjo varfëri nuk e ka ndaluar që të mbajë një qëndrim dinjitoz të dy-kahshëm.
Në fakt, ai ka qenë një kritik i ashpër edhe i Partisë Demokratike, për mënyrën se si ajo po operon përballë Ramës, por edhe më i ashpër ndaj vetë qeverisë.
Kulmi i Vrenozit arriti, kur ai u bë shënjestër, pikërisht e lakmisë së qeverisë për ta shtënë në dorë, si ushtar të bindur.
Fakti që me të, Ramës i ngeci sharra në gozhdë, e kthen automatikisht Venozin në një autoritet moral të opozitës.
Në fakt, përbri joshjes dhe të mirave materiale të shumta që mund t’i vinin nga makineria blerëse e qeverisë, ai vendosi të mbetet i varfër, por i ndershëm.
Se sa do t’i vlejë kjo është për t’u vënë në pikëpyetje.
Por një gjë është e sigurt, ai na dha shembullin, se një antidot ndaj mungesës së frerëve moralë të Ramës në politikë ekziston.
Jo gjithçka mund të shitet e blihet, sidomos dinjiteti.
Nëse do të kishte disa Vrenozë më shumë, opozita nuk do të ishte sot në derexhenë ku ndodhet.







