Nga Maksi Çami
Në përpjekje të dëshpëruara për të qenë “relevant”, Lulzim Basha është kthyer në një karikaturë të vetvetes. Me një seri performancash që do i kishin zili edhe artistët e një cirku ballkanik, ai ka eksperimentuar me çdo gjë përveç seriozitetit: një ditë paraqitet si rrepist, ditën tjetër me stil flokësh dhe veshje që më shumë i shkojnë një influenceri të papjekur se sa një udhëheqësi politik.
Dikur pretendonte se ishte kandidati për Kryeministër, “udhëheqësi real i opozitës”. Sot, duket më shumë si një personazh i shpërfytyruar nga një reality show i dështuar, që bën çmos për të marrë disa klikime në rrjete sociale një lloj akti i fundit dëshpërimi kur nuk të ndjek më askush në realitet. Në 2021-shin, kishte në duar një shans historik. Demokratët ia besuan gjithçka: shpresën, zemërimin, alternativën. Ai ishte i vetmi përballë Edi Ramës sepse nga gjithë opozita iu dhurua një kapital i madh politik. Sot, ai është vetëm një aktor i mjerë në një shfaqje që publiku e ka braktisur. Sot, Lulzim Basha nuk përfaqëson asgjë për askënd.
Ai ka mbetur vetëm me një grup të vogël votuesish që, për fat të keq, as vetë nuk e dinë se çfarë mbështesin: një emër pa strukturë, një flamur pa kauzë, një figurë pa substancë. I vetmi program që duket se ka është rotacioni sezonal i look-ut, si për të provuar se nëse nuk e ndjekin për idetë, ndoshta do e ndjekin për stilin. Ironia më therëse? Sot, si drejtues i “Aleancës Euroatlantike”, Lulzim Basha nuk arrin më as të sigurojë një përqindje minimale për të hyrë në Kuvend.
Sipas sondazheve të fundit, kjo forcë politike qëndron në vetëm 0.7% të mbështetjes sipas 2 sondazheve të rëndësishme që përputhen: Top Channel dhe Euronews. Kjo shifer, e nxjerr shumë më pak se partitë e reja. Kjo nuk është thjesht një rënie, kjo është një shuarje politike. Një zhdukje nga harta apo nga kujtesa e votuesit, nga çdo diskutim serioz për të ardhmen e së djathtës. Pra, jo vetëm që nuk përfaqëson më demokratët, ata që i dhanë gjithçka, por nuk është më në gjendje të përfaqësojë as vetveten. Ai është si një zë që flet në një dhomë bosh, ku askush nuk e dëgjon, dhe më keq akoma: askush nuk pyet më se çfarë ka për të thënë.
Në politikë, është e vështirë të fitosh besimin. Por më e vështirë është të rikthesh një besim të tradhtuar. Lulzim Basha e ka konsumuar të gjithë kapitalin e tij politik. E ka kthyer në hi me dorën e vet, me vendimet e tij të dobëta, me mungesën e vizionit, me frikën për të rrezikuar, me dëshirën për të qenë “i pëlqyeshëm” në vend të të qenit “i guximshëm”. Në fund të fundit, publiku shqiptar mund të jetë i lodhur, por jo budalla. Prandaj e kuptuan kush është dhe e braktisën.







