Të afërm dhe pelegrinë që shkuan të shohin trupin e Papës Françesku të mërkurën u zemëruan me vizitorët që postonin selfie pranë arkëmortit të tij të hapur në rrjetet sociale. Pas vdekjes në moshën 88-vjeçare ditën e Pashkëve, trupi i Papës u vendos për homazhe në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan për një ceremoni treditore.
Rreth 50 mijë vetë i kanë dhënë nderimet Papës, por disa shkaktuan zemërim me fotot që shfaqnin trupin e tij në sfond. Në një imazh në Instagram, një grua buzëqesh përpara kamerës, ndërsa pas saj shfaqet trupi i Papës me rruzaren në dorë. Ai ishte i veshur me mitrën e bardhë dhe mantelin e kuq papnor – simbol i dashurisë dhe i gjakut të Krishtit.
Ndërsa autoritetet nuk ndaluan fotografitë, roja ndaloi disa persona që tentuan të bëjnë foto me celularë. Ata që kishin pritur deri në tetë orë për një përshëndetje të fundit, e quajtën këtë sjellje “të papërshtatshme”. “U befasova që lejuan selfie, ndërkohë që më parë na kishin ndaluar fotot në Kapelën Sistine,” tha Janine Venables nga Uellsi. Bashkëshorti i saj shtoi: “Besoj se Papa do t’u kishte thënë të bënin diçka për njerëzit në nevojë, jo të bënin selfie.”

Një burim nga Vatikani u shpreh: “Do ishte mirë që njerëzit të kujtonin ku ndodhen dhe të tregonin respekt.”

Pamjet zyrtare tregojnë turma që ngrinin telefonat për të fotografuar trupin e Papës, disa edhe me selfie stick. Madje edhe murgesha u panë duke përdorur telefonat. Kjo solli mungesë përqendrimi dhe reflektimi për besimtarët që kishin ardhur për të respektuar Papën.
Deri në mesnatë, 19.430 persona kishin kaluar pranë arkëmortit në Bazilikë. Mbrëmjen e kaluar, pritja zgjaste deri në pesë orë. Siguria në Vatikan është shtuar, me patrulla policore në këmbë dhe me kuaj.
Ndër ata që i dhanë nderimet ishte edhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni, e cila e quajti Papën një njeri të fortë, të thjeshtë dhe me ndjenjë humori. Ajo ndau edhe një këshillë që Papa i kishte dhënë: “Mos e humb kurrë sensin e humorit.”

Ceremonia e varrimit të Françeskut do të mbahet të shtunën në Sheshin e Shën Pjetrit, ku do marrin pjesë figura botërore, përfshirë Princin e Uellsit, presidentin amerikan Donald Trump, presidentin francez Emmanuel Macron, presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, si dhe përfaqësues të qeverisë irlandeze.
Françesku do të varroset në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe në Romë, sipas dëshirës së tij, duke thyer traditën e varrimeve në Shën Pjetër. Procesioni i priftërinjve dhe kardinalëve e shoqëroi trupin e tij nga pamja private në Sheshin e Shën Pjetrit. Pas funeralit, vëmendja do të përqendrohet në zgjedhjen e Papës së ri, ku 135 kardinalë nën moshën 80 vjeç janë të pranueshëm për të votuar.

Nëntë ditët e zisë (“novemdiales”) do të zgjasin deri më 4 maj. Një takim i kardinalëve është mbajtur sot, por ende nuk është shpallur data e konklavit. Françesku, megjithëse ishte urdhëruar të pushonte, vazhdoi të dilte publikisht deri një ditë para vdekjes, kur përshëndeti turmën në Sheshin e Shën Pjetrit dhe përqafoi foshnjat nga popemobile-i.







