Drejtoría Vendore e Policisë Tiranë pranon se 14 vjeçari u dhunua në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1.
Policia ka sqaruar rrethanat e rastit dhe ka njoftuar se për këtë ngjarje janë ndërmarrë masa disiplinore ndaj tre punonjësve të Komisariatit, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimin përkatës.
Rasti është denoncuar nga Komiteti i Helsinkit, ku kërkon që të hetohet rasti, teksa ngjarja ka ndodhur më 12 Prill.
Kanë qenë prindërit e të miturit, ata të cilët e kanë denoncuar ngjarjen tek Komiteti i Helsinkit dhe kjo e fundit bën me dije se pas verifikimit të rastit ka rezultuar se i mituri kishte një hematomë në krahun e syrit të djathtë dhe se nuk rezulton të jetë vizituar nga mjeku.
Ndërkohë, në mbrëmjen e të njëjtës ditë, i mituri me kërkesë të prindërve është dërguar në spitalin e Traumës dhe nga ekspertiza mjekësore ka rezultuar se 14-vjeçari ishte goditur me grushta.
Bëhet me dije se prindërit e të miturit, më 13 Prill kanë depozituar një kallëzim pranë Agjensisë së Mbikqyrjes Policore si dhe në Prokurorinë e Tiranës.
Komiteti i Helsinkit i bën thirrje institucioneve përgjegjëse ta hetojnë këtë rast me përparësi dhe seriozitet, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe parandalimin e situatave të ngjashme në të ardhmen.
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë
Në lidhje me një njoftim të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, sipas të cilit gjatë qëndrimit në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, është dhunuar një i mitur i ndaluar, sqarojmë:
Me datë 12.04.2025, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë shoqëruar në ambientet e këtij komisariati, 14-vjeçarin që pretendon se është dhunuar, mbi dyshime se kishte hedhur lëndë piroteknike, në zonën e Liqenit Artificial, veprim i cili ishte njoftuar nga banorët e zonës, pasi ishte shkaktuar panik dhe shqetësim te ta. Për këtë shtetas Policia referoi materialet në Prokurori, ku u vendos procedimi i tij në gjendje të lirë, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”. Për këtë rast është dhënë njoftim në përmbledhjen ditore të qarkut Tiranë, më datë 13.04.2025.
Në bazë të pretendimeve të prindërve të të miturit, se ai është dhunuar gjatë qëndrimit në ambientet e Komisariatit, me urdhër të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, me datë 13.04.2025, ka nisur ecuri disiplinore, për shkelje të rëndë, për:
-Inspektor D. M., oficer i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 1;
-Inspektor R. D., oficer i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 1;
-Nënkomisare Xh. B., specialiste e Seksionit të Patrullës së Përgjithshme dhe Rendit të Komisariatit të Policisë Nr. 1.
Gjithashtu, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, me datë 15.04.2025,ka referuar materialet në Prokurori, me qëllim hetimin penal të 3 punonjësve të Policisë, për veprat “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.
Ndërkohë, Drejtoria e Standarteve Profesionale, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ka nisur menjëherë një hetim administrativ, për të verifikuar nëse 3 punonjësit e Policisë kanë shkelur kompetencat dhe detyrimet që iu caktojnë rregullorja e Policisë së Shtetit dhe procedura standarde e punës.
Theksojmë se strukturat e Policisë së Shtetit dhe ato të Policisë së Tiranë janë maksimalisht të angazhuara për të dokumentuar me prova ligjore rrethanat e këtij rasti dhe për të reaguar shpejt, me paanësi dhe konform ligjit, për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të përgjegjësve.