Pas rënies së regjimit të Bashar al-Assad, ushtria izraelite ka rritur ndjeshëm aktivitetin e saj në Siri. Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë marrë nën kontroll zonën neutrale të monitoruar nga OKB-ja që u krijua pas luftës së Jom Kipurit në vitin 1973 dhe kanë ndërmarrë sulme sistematike mbi infrastrukturën siriane, përfshirë rrjetet e mbrojtjes ajrore, depot e armëve, sistemet raketore dhe qendrat e inteligjencës. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka deklaruar se IDF do të qëndrojë në Siri “për një kohë të pacaktuar”.
Në mars, kryeministri Benjamin Netanyahu njoftoi një plan për krijimin e zonave të ndikimit në Siri përmes aleancave me grupe minoritare dhe vendosjes së një zone të demilitarizuar 30 milje në thellësi të territorit sirian, afër Damaskut. Kjo shënon një largim drastik nga politika tradicionale e kujdesshme e Izraelit ndaj fqinjit të tij verior. Ndërsa më parë Izraeli e shihte regjimin e Assadit si të menaxhueshëm, tani po përqafon një qasje shumë më agresive.
Lideri i ri sirian, Ahmed al-Shara, me të kaluar të dyshimtë për lidhje me terrorizmin dhe i njohur më parë si “al-Jolani”, ka dërguar sinjale paqeje ndaj Izraelit, duke ofruar madje mundësi për normalizim të marrëdhënieve. Por Izraeli po refuzon t’i përgjigjet këtyre sinjaleve dhe rrezikon ta kthejë Sharan nga një mundësi stabilizimi në një armik të ri. Ndërhyrjet në Siri, sipas kritikëve, mund ta fusin Izraelin në një konflikt të ri të panevojshëm me Turqinë dhe ta izolojnë më shumë në rajon.
Ndërkohë, vendimet e Izraelit pas 7 tetorit 2023 – ditës së sulmit shkatërrues të Hamasit – kanë ndryshuar doktrinën e mbrojtjes së vendit, me fokus të ri tek aksionet parandaluese dhe krijimi i “zonave bufer”. Kjo qasje është zgjeruar në Gaza, Liban dhe tani edhe në Siri. Por ndryshe nga Libani, Siria nën udhëheqjen e Sharas nuk paraqet një kërcënim të menjëhershëm, madje ka ruajtur heshtje gjatë luftës në Gaza dhe ka kërkuar bashkëpunim.
Protestat e fundit në qytetin me shumicë druze të Suwaydës tregojnë se edhe komunitetet që Izraeli synon t’i përdorë si aleatë nuk janë të bindur. Përpjekjet për të dobësuar Sharan, përfshirë mbështetjen për sanksionet amerikane dhe koordinimin me Rusinë, shihen si të dëmshme për stabilitetin rajonal dhe vetë sigurinë e Izraelit.
Retorika anti-turke e fundit, që përfshin deklaratat e zyrtarëve izraelitë se Turqia përpiqet të bëjë ushtrinë siriane “një proxy turk”, ka shtuar më tej tensionet. Megjithëse Turqia dhe Izraeli ndajnë interesa të përbashkëta si aleatë të SHBA-së, përplasjet e tyre rrezikojnë ta çojnë rajonin në një përballje tjetër ushtarake.
Qasja aktuale e Izraelit në Siri përkujton përpjekjet e viteve ’80 dhe ’90 për të krijuar një zonë sigurie në Libanin jugor – një strategji që përfundoi me tërheqje poshtëruese dhe rritjen e fuqisë së Hezbollahut. Kritikët paralajmërojnë se Izraeli po bën të njëjtën gabim në Siri, duke shtyrë një qeveri potencialisht aleate drejt armiqësisë dhe duke humbur një rast të rrallë për të ndryshuar ekuilibrat gjeopolitikë në favorin e tij.
Në vend të ofensivës së vazhdueshme, Izraeli mund të shfrytëzojë këtë moment për të ndihmuar Sirinë në rikuperimin ekonomik, për të ofruar ndihmë humanitare dhe për të kërkuar një marrëveshje diplomatike që garanton sigurinë e kufirit dhe të komunitetit druze. Për këtë, është thelbësore edhe përmirësimi i marrëdhënieve me Turqinë, çka ka nisur përmes një raundi bisedimesh të ndërmjetësuara nga Azerbajxhani.
Nëse Izraeli nuk ndryshon kurs, rrezikon të krijojë një tjetër llogore lufte – këtë herë në Siri – duke minuar stabilitetin që aq shumë kërkon të mbrojë.