Një grup vajzash adoleshente është në kërkim nga policia, pasi ka kryer një seri sulmesh tronditëse dhe të paprovokuara ndaj pasagjerëve të moshuar në trena.
Policia e Transportit Britanik publikoi sot pamje nga kamerat CCTV ku shfaqen tre vajza adoleshente që dyshohet se qëndrojnë pas sulmeve, të cilat ndodhën të martën, më 18 mars, në trenat e linjës Southeastern në jug të Londrës.
Incidenti i parë ndodhi rreth orës 21:30, kur një burrë i moshuar po udhëtonte me tren nga London Bridge drejt Woolwich Arsenal. Pa asnjë paralajmërim, pensionisti u sulmua nga një grup prej tre vajzash, në një akt që oficerët e përshkruajnë si “të egër dhe të ulët”.
Rreth një orë më vonë, rreth orës 23:00, një grua e moshuar u bë viktima e dytë në një tren tjetër që udhëtonte nga London Bridge drejt Erith. Një nga vajzat iu afrua gruas përpara se ta sulmonte. Kur një pasagjere tjetër ndërhyri me guxim për të ndihmuar, agresorja i drejtoi dhunën edhe ndaj saj.
Policia beson se të njëjtat vajza janë përfshirë në të dy incidentet tronditëse dhe po i bën thirrje publikut të ndihmojë në identifikimin e tyre.
Pamjet e publikuara sot tregojnë të dyshuarat të veshura me rroba të zakonshme të rrugës. Njëra prej tyre mban një bluzë rozë nën një xhup të zi me kapuç me push. Një tjetër është e veshur me një xhaketë të zezë me një logo të kuqe në mëngën e djathtë, pantallona gri dhe këpucë të zeza. E treta ka veshur një xhaketë të zezë mbi një tuta gri.
Policia e Transportit Britanik u ka bërë thirrje qytetarëve që të ndihmojnë për të sjellë agresoret para drejtësisë.
Një zëdhënës deklaroi: “Këto ishin sulme të neveritshme ndaj individëve të pambrojtur që thjesht po udhëtonin. Sjellje të tilla nuk do të tolerohen në rrjetin tonë hekurudhor dhe u bëjmë thirrje të gjithë atyre që i njohin vajzat në këto pamje të dalin përpara.”


