Në një postim emocional në Instagram, reperi i njohur Fero, i cili pak kohë më parë ishte tërhequr nga muzika për t’iu përkushtuar fesë, por më pas u rikthye në skenë, ka shpërthyer në akuza ndaj institucioneve të Kosovës lidhur me ndarjen nga vajza e tij, Nina.

Me rastin e ditëlindjes së katërt të vajzës, Fero ka publikuar një kolazh me momente të lumtura me Ninën, duke shprehur publikisht dhimbjen që nuk mund të jetë pranë saj. “Tetë muaj m’kanë nda padrejtësisht nga ti, pa mujt me t’pa, me t’përqafu, apo me të uru si çdo babë,” shkruan ai, ndërsa i bën thirrje institucioneve të reagojnë.
Në mesazhin e tij, reperi nuk kursen fjalët e forta: “Institucionet e Kosovës nuk mund të heshtin më. Është koha të veprojnë, të zbatojnë ligjin dhe të mbrojnë të drejtat tona. Çdo vonesë është një plagë për një baba dhe vajzën e tij.” Ai paralajmëron se mosveprimi i autoriteteve po sjell pasoja të pariparueshme për raportin prind-fëmijë.
Kujtojmë që pas ndarjes me modelen Arbenita Ismajli, çifti është përfshirë në një betejë ligjore për kujdestarinë e vajzës. Ndërkohë, disa javë më parë Fero u martua me modelen Nita Bajrami, një emër që kishte bërë bujë në skenën ndërkombëtare të modës si finaliste e “Top Model of the Ireland”.
Pas divorcit, Fero publikoi foto të Arbenitës në Dubai me vajzën dhe një burrë tjetër, duke e akuzuar për lakmi, jetë luksi dhe për “shfrytëzim të trupit për interesa financiare”. Ai pretendon se pikërisht këto arsye çuan në prishjen e marrëdhënies së tyre.

Ky zhvillim i fundit i jep një tjetër kthesë publike konfliktit të gjatë mes ish-partnerëve, ku përveç ndjenjave të thella të një babai të ndarë nga vajza e tij, dallohet edhe një përplasje e fortë morale dhe institucionale. Fero kërkon drejtësi. Por mbetet për t’u parë nëse autoritetet do reagojnë ndaj kësaj thirrjeje publike të mbushur me emocione, akuza dhe sfida ligjore.