Arkivat sekrete të Vatikanit kanë qenë prej kohësh magnet për mistere – dhe tani, edhe për çështje që lidhen me alienët.
Me mbi 80 kilometra rafte në nëntokë, këto dokumente të ruajtura me fanatizëm kanë ushqyer spekulime të egra për shekuj me radhë. Por disa studiues besojnë tani se Selia e Shenjtë mund të jetë ulur mbi sekretin më të madh të të gjitha kohërave: provat për ekzistencën e jetës jashtëtokësore.
Sado e çuditshme të duket, dëshmitë e fundit nga ish-zyrtarë të inteligjencës amerikane pretendojnë se Vatikani dhe qeveria amerikane kanë bashkëpunuar për të hetuar, fshehur dhe madje studiuar UFO-t.
Pas vdekjes së Papa Françeskut në moshën 88-vjeçare, në të hënën e Pashkëve, hetuesi i UFO-ve dhe dokumentaristi Mark Christopher Lee po u bën thirrje kardinajve që të zgjedhin një Papë të ri që do të jetë i gatshëm të tregojë të vërtetën.
Lee, i cili ka kaluar tri dekada duke studiuar lidhjet mes fesë, historisë dhe fenomenit alien, thotë se Vatikani mund të ketë në posedim qindra dosje sekrete për shfaqje të UFO-ve, disa prej të cilave datojnë shekuj më parë.
“Nëse Kisha është me të vërtetë e përkushtuar ndaj së vërtetës shpirtërore dhe ndriçimit të njerëzimit, atëherë nuk duhet më të shtypë informacion që mund të ndryshojë në mënyrë themelore kuptimin tonë për vendin tonë në kozmos,” tha ai në një deklaratë.
Lee beson se shumë nga përshkrimet për takime hyjnore në tekstet fetare, përfshirë edhe Biblën, mund të jenë në fakt shfaqje të gabimisht interpretuara të alienëve. Një nga ngjarjet që ai dëshiron të rishqyrtojë është e ashtuquajtura Sekreti i Tretë i Fatimës.
Në vitin 1917, tre barinj të vegjël në Portugali pretenduan se panë një shfaqje ndriçuese në qiell. Fëmijët dhe Vatikani e përshkruan atë si Zonjën e Bekuar Mari.
Por Lee nuk bie dakord.
“Nëse lexon përshkrimet e tyre origjinale, ajo që kanë shkruar përngjan më shumë me sfera drite në qiell,” tha ai.
“Kjo nuk ishte Zoja Mari. Ishte një inteligjencë jo-njerëzore që po përpiqej të komunikonte me ne – dhe Vatikani e di këtë.”
Në vitin 2000, Kisha publikoi atë që pretendoi se ishte teksti i plotë i Sekretit të Tretë. Por shumë ekspertë, përfshirë Lee, vazhdojnë të dyshojnë.
Së fundmi, edhe dëshmitarë të inteligjencës amerikane i kanë dhënë më shumë peshë pretendimeve të tij. David Grusch, ish-oficer i dekoruar i Forcave Ajrore dhe “denoncues” për UFO-t, deklaroi në një intervistë në 2023 se Kisha Katolike ka dijeni për jetën jashtëtokësore prej dekadash.
Ai thotë se qeveria italiane kishte rikuperuar një UFO të rrëzuar gjatë regjimit fashist të Mussolinit, dhe se Vatikani ndihmoi në fshehjen e ngjarjes. Grusch pretendon se Papa Piu XII madje dërgoi informacion të fshehtë për këtë rast tek zyrtarë të inteligjencës amerikane, të cilët më pas morën në dorëzim objektin fluturues.
I pyetur nëse besonte që Kisha Katolike e dinte për ekzistencën e alienëve, Grusch u përgjigj:
“Pa dyshim.”
Sipas Lee, arsyeja pse Vatikani mund të zgjedhë të mos e bëjë publike këtë dijeni është frika se mund të shkaktojë panik ose të tronditë besimin fetar të njerëzve.
“Pse duhet të besojmë në një Zot dhe një Krisht, nëse ka jetë të tjera diku tjetër?” pyeti ai.
Por Lee beson se është vetëm çështje kohe para se Vatikani të detyrohet të flasë. Tashmë, teleskopë si James Webb Space Telescope kanë zbuluar molekula që mund të jenë shenja jete në planetë të tjerë. Një nga këto, dimethyl sulfide, u zbulua në atmosferën e planetit K2-18b – në Tokë, ky element prodhohet vetëm nga forma jete si algat detare.
Lee beson se shkencëtarët janë shumë afër zbulimit të jetës inteligjente jashtëtokësore, ndoshta edhe brenda muajve të ardhshëm – çka do të ushtrojë presion të madh mbi Vatikanin që të publikojë çdo dokument për kontaktet me UFO-t.
“Ajo që njerëzit po shohin në qiell mund të jetë vërtet jashtëtokësore – por shumë prej tyre mund të jenë teknologji ushtarake sekrete të superfuqive,” paralajmëron ai.
“Komuniteti i UFO-ve duhet ta kuptojë këtë. Nuk janë vetëm alienët klasikë që na vizitojnë, situata është shumë më komplekse.”
Zgjedhja e Papës së ri do të bëhet nga Kolegji i Kardinalëve – të gjithë burra të emëruar nga Papa dhe zakonisht ipeshkvë. Procesi i votimit mund të zgjasë javë të tëra, derisa një kandidat të marrë të paktën 90 vota.
Mark Christopher Lee shpreson se Papa i ri do të jetë ai që do t’i japë fund heshtjes shumëvjeçare.
“Publiku e meriton ta dijë të vërtetën,” thotë ai.
“Nuk kemi nevojë të mbrohemi nga kjo e vërtetë.”