Richard Gere deklaroi se ishte “më i lumtur se kurrë” pasi u largua nga SHBA për në Spanjë në fund të vitit të kaluar. Por tashmë, duket se realiteti në vendin e ri nuk ka përmbushur plotësisht pritshmëritë e tyre.
Bashkëshortja e aktorit, Alejandra Silva, kishte theksuar në atë kohë se zhvendosja nuk kishte lidhje direkte me fitoren e Donald Trump në zgjedhje, megjithatë komentoi se ndjehej e “privilegjuar” që mund të “arratisej dhe të shkonte diku tjetër”.
Që nga mbërritja në Spanjë, ylli i filmave “Pretty Woman” dhe “American Gigolo” ka qenë një kritik i zëshëm i Trump.
“Jemi në një vend shumë të errët në Amerikë, ku kemi një ngacmues, një bandit, si president të Shteteve të Bashkuara. Por nuk është vetëm në SHBA, është kudo,” tha Gere në fjalën e tij gjatë marrjes së çmimit “International Goya” në shkurt.
Çifti shiti edhe fermën e tyre të madhe në Connecticut përpara se të zhvendosej në Madrid, ku tani jetojnë me djemtë e tyre: Alexander, 6 vjeç, dhe James, 4 vjeç.

Megjithatë, sipas Alejandra Silvës, jeta në Spanjë nuk ka qenë aq e mrekullueshme sa e kishin imagjinuar. Në një intervistë për “Daily Mail”, Silva zbuloi se i mungon Amerika.
“Për disa vite do qëndrojmënë Spanjë dhe pastaj do kthehemi në SHBA. Por ne gjithmonë do të kthehemi. Ne vijmë në verë sepse fëmijët janë në kamp veror. Thjesht duhet të balancojmë jetën tonë mes këtej dhe andej. Jam me familjen time… Më kanë munguar shumë. Por më mungon edhe SHBA-ja,” u shpreh ajo gjatë galasë “City Harvest” në Nju Jork të martën.
Ajo ishte e shoqëruar nga Richard Gere dhe djali i tij, Homer, 25 vjeç, nga martesa me ish-bashkëshorten Carey Lowell. Homer konfirmoi dëshirën e tyre për t’u kthyer në SHBA.

“Më kanë thënë se do të kthehen përfundimisht brenda disa viteve të ardhshme. Shpresoj që të jetë e vërtetë, sepse më mungojnë këtu,” tha ai.
Edhe pse pranoi që zhvendosja nuk kishte lidhje me politikën, u tregua i rezervuar për të thënë nëse janë më të lumtur në Spanjë:
“Janë të njëjtët njerëz. Thjesht në një vend tjetër. Nuk ndryshon bota. Spanja është e bukur.”
Gere dhe Silva u njohën në Amalfi, Itali, në 2014, kur të dy po kalonin procese divorci. Ata u martuan në vitin 2018 në një ceremoni private në pronën e Gere në pjesën veriore të Nju Jorkut.
Në janar, ai i tha revistës Elle:
“Jemi më të lumtur se kurrë. Ajo është e lumtur sepse është në vendin e saj, dhe unë jam i lumtur sepse ajo është e lumtur.”
Në një intervistë për Vanity Fair, ai u shpreh:
“Ajo ishte shumë bujare që jetoi gjashtë vite në botën time. Është e drejtë që tani të jetoj edhe unë gjashtë vite në të sajën.”