Një baba i martuar, i cili i kishte thënë miqve se dëshironte të notonte me peshkaqenë, është zhdukur në mënyrë tragjike pasi u sulmua nga disa peshkaqenë në brigjet e plazhit Olga në Hadera, Izrael. Miqtë e tij kishin tentuar ta ndalonin, por ai kishte hyrë gjithsesi në ujë. Pamje tronditëse të publikuara në rrjete sociale tregojnë momentin e sulmit, ndërsa uji rreth tij ngjyrosej me gjak.
Sipas dëshmitarëve, fjalët e fundit të viktimës ishin “Jam kafshuar, jam kafshuar!”, ndërsa ai ngrinte duart për ndihmë. Ai u pa duke luftuar në ujë për disa minuta përpara se të zhdukej nën sipërfaqe. Trupi i tij ende nuk është gjetur, dhe autoritetet besojnë se ai është sulmuar nga të paktën tre peshkaqenë. Ndërkohë, kërkimet vijojnë nga njësitë e shpëtimit me motoçikleta ujore dhe helikopterë.
Fenomeni i grumbullimit të peshkaqenëve afër daljes së ujërave të ngrohta të termocentraleve në Hadera ndodh çdo dimër dhe ka tërhequr gjithnjë e më shumë turistë dhe kuriozë, përfshirë edhe fëmijë. Në disa raste, njerëzit janë parë duke prekur peshkaqenët, madje duke i goditur me lopata – një sjellje që Shoqata Izraelite për Mbrojtjen e Natyrës e ka quajtur “e papërgjegjshme dhe e rrezikshme”.
Sharkët në Mesdhe janë të rrallë, me vetëm 50 sulme të raportuara që nga viti 1900 dhe 11 prej tyre fatale. Ngjarja e fundit ka rikthyer në qendër të debatit mungesën e rregulloreve për sigurinë në ujë. Plazhi i Olgës është mbyllur për notuesit deri në një njoftim të dytë. Autoritetet kanë bërë thirrje publike që qytetarët të mos hyjnë në ujë dhe të shmangin kontaktin me peshkaqenët, për të parandaluar tragjedi të ngjashme.