Trafiku është rënduar ndjeshëm këtë të shtunë në autostradën Tiranë-Elbasan, teksa qytetarë të shumtë janë nisur drejt destinacioneve të ndryshme për të festuar Pashkët me familjet e tyre.
Në dalje të autostradës, sidomos në segmentet hyrëse dhe dalëse të Elbasanit, janë krijuar radhë të gjata automjetesh, duke shkaktuar vonesa të konsiderueshme. Sipas informacioneve, fluksi më i madh është regjistruar pasditen e sotme, kur shumë udhëtarë janë nisur drejt qyteteve të juglindjes dhe zonave periferike.
Për të përballuar situatën dhe për të shmangur bllokimin e akseve kryesore, Policia Rrugore ka shtuar praninë e efektivëve përgjatë gjithë gjatësisë së autostradës. Janë marrë masa për menaxhimin e fluksit, orientimin e automjeteve dhe ruajtjen e rendit në trafik.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve të lëvizin me kujdes të shtuar, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e policisë, si dhe të shmangin udhëtimet në oraret kulmore për të evituar përplasjet dhe bllokimet në qarkullim.