Bashkimi Evropian ka rritur presionin ndaj institucioneve në Kosovë, duke theksuar se formimi i shpejtë i Qeverisë është thelbësor për vendin. Më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Kosova ende nuk ka arritur të formojë institucionet e reja, duke krijuar një ngërç politik që po zgjatet.
“Formimi i shpejtë i Qeverisë është thelbësor për Kosovën për t’i çuar përpara reformat e rëndësishme në të gjithë sektorët, të cilat do ta përmirësojnë cilësinë dhe kushtet e jetës për popullin e Kosovës”, thuhet në një reagim me shkrim të Zyrës së BE-së në Prishtinë për Radion Evropa e Lirë.
Bllokada institucionale ka ngjallur shqetësime edhe në kancelaritë evropiane. BE-ja ka konfirmuar se po i ndjek nga afër zhvillimet rreth konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, duke shpresuar se procesi do të përfundojë “së shpejti”.
Kuvendi i ri i Kosovës ka dështuar të konstituohet dy herë brenda kësaj jave, si pasojë e përplasjeve procedurale mes partive politike që siguruan mandate në zgjedhjet e fundit. Në mungesë të një marrëveshjeje, seanca e ndërprerë e së enjtes është caktuar të vijojë të shtunën, më 19 prill, por mbetet e paqartë nëse partitë do të arrijnë konsensusin e nevojshëm.
Kriza aktuale po shtyn edhe më tej çdo përpjekje për të nisur agjendën e reformave që qytetarët e Kosovës presin prej kohësh, ndërsa mungesa e institucioneve funksionale rrezikon të dëmtojë edhe perspektivën evropiane të vendit.