Në një mision të paprecedentë që do të mbahet mend si një moment historik për hapësirën dhe feminizmin, ylli i muzikës pop Katy Perry, gazetarja e njohur Gayle King dhe e fejuara e Jeff Bezos-it, Lauren Sanchez, do të ngjiten në hapësirë të hënën në mëngjes në një fluturim të organizuar nga kompania Blue Origin. Fluturimi, i cili do të transmetohet drejtpërdrejt, do të jetë një udhëtim i shkurtër prej 11 minutash me anijen New Shepard, por do të lërë gjurmë të thella në historinë e eksplorimit hapësinor.
Një ekuipazh që bën histori
Perry, King dhe Sanchez do të shoqërohen nga shkencëtaret Amanda Nguyen dhe Aisha Bowe, si dhe nga producentja e pavarur e filmave, Kerianne Flynn. Ky është ekuipazhi i parë plotësisht femëror që shkon në hapësirë që nga viti 1963, duke theksuar angazhimin e Blue Origin për përfshirjen gjinore në industrinë e hapësirës.
Pse shkojnë në hapësirë?
Sipas një interviste për Elle, Katy Perry u shpreh se ëndrrën për të shkuar në hapësirë e ka pasur për gati 20 vite. “Dua ta bëj hapësirën glamuroze,” tha ajo. Perry shtoi për Associated Press se gjithmonë ka pasur interes për astrofizikën dhe astronominë, dhe dëshiron të frymëzojë vajzat e reja që një ditë të thonë: “Edhe unë dua të shkoj në hapësirë.”
Ekuipazhi synon të dërgojë një mesazh të qartë: vetëm 11% e atyre që kanë shkuar ndonjëherë në hapësirë kanë qenë gra, dhe është koha për ndryshim.
Ku po shkojnë?
Fluturimi do të kalojë përtej vijës Kármán – kufiri ndërkombëtar i hapësirës në një lartësi prej 100 kilometrash (rreth 62 milje). Udhëtimi pritet të zgjasë vetëm 11 minuta, gjatë të cilave pasagjerët do të përjetojnë disa minuta peshë zero përpara se të kthehen në Tokë. Raketa është plotësisht autonome dhe nuk ka pilotë në bord.
Si mund të ndiqet?
Transmetimi i drejtpërdrejtë do të nisë rreth orës 09:00 të mëngjesit me orën e SHBA-së Lindore (15:00 me orën tonë), përmes kanaleve sociale dhe faqes zyrtare të Blue Origin.
Sa kushton një vend në hapësirë?
Një udhëtim me Blue Origin mund të kushtojë miliona. Vetëm për të rezervuar një vend, kërkohet një depozitë prej 150,000 dollarësh. Edhe pse kompania nuk ka bërë publik çmimin zyrtar të biletave, një raport nga Quartz tregon se një udhëtim mund të kushtojë mbi 1.2 milionë dollarë. Megjithatë, për disa personazhe të zgjedhur, udhëtimi është ofruar falas në bazë të ndikimit publik dhe qëllimeve të misionit.
Kritikë dhe polemika
Jo të gjithë janë entuziastë për këtë mision. Aktorja Olivia Munn e kritikoi fluturimin gjatë një paraqitjeje televizive duke e cilësuar si “luks të pakuptimtë” në një kohë kur “njerëzit s’kanë para për të blerë vezë.” Edhe në rrjetet sociale, reagimet kanë qenë të përziera, ku ndonëse shumë video kanë marrë miliona pëlqime, komentet më të shikuara shprehin frikë dhe shqetësim për sigurinë e fluturimit.