Përplasja në Kuvend mes Flamur Nokës dhe Agron Shehajt nuk ishte thjesht një debat mes dy figurave të së djathtës, por ishte një përplasje mes dy epokave politike, mes politikës së vjetër dhe asaj të resë.
Mesazhi më domethënës i kësaj përplasjeje nuk erdhi nga politika, por nga vetë qytetarët. Pikërisht nga Torino, Luka Noka, kushëriri i Flamur Nokës i shkroi Agron Shehajt një mesazh mbështetës, duke treguar se ndryshimi tashmë ka nisur nga vetë familjet e politikanëve të vjetër.
“Jam Luka Noka, kushëriri i Flamur Nokës. Jetoj prej 20 vitesh në Torino. Jemi 10 shokë dhe votat i ke nga ne, sepse kemi shumë besim tek programi yt,” shkruan Luka.
“Ky është vlerësimi më i madh që më është bërë ndonjëherë në politikë në këto 8 vjet”, shprehet Shehaj duke falënderuar Lukën për mbështetjen e sinqertë.
Ky mesazh përfaqëson shumë më tepër sesa një zgjedhje personale. Ai simbolizon kthesën që po ndodh brenda radhëve të së djathtës. Flamur Noka, një nga figurat më të vjetra në PD, po braktiset edhe nga njerëzit më të afërt. Ndërsa Shehaj, me qetësinë dhe frymën e tij ndryshe, po frymëzon shqiptarë brenda dhe jashtë vendit.
Qytetarët po e kuptojnë qartë se e djathta shqiptare ka nevojë për frymë të re. Shqiptarët po kërkojnë një alternativë të vërtetë, të ndershme, punëtore dhe moderne dhe ky ndryshim nuk mund të vijë nga politikanë të konsumuar, por nga figura punëtore, të ndershme e karizmatike si Agron Shehaj.