Pekini sfidon Uashingtonin në OBT, duke fajësuar administratën Trump për “turbulencat” në ekonominë globale
Kina ka njoftuar se do të rrisë tarifat ndaj të gjitha mallrave të importuara nga Shtetet e Bashkuara në 125 përqind, duke e përshkallëzuar më tej luftën tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë.
“Vendosja nga SHBA e tarifave jonormale ndaj Kinës përbën një shkelje serioze të rregullave ndërkombëtare të tregtisë, ligjeve themelore ekonomike dhe logjikës së shëndoshë,” thuhet në një deklaratë të Komisionit Tarifor të Këshillit të Shtetit të Kinës, e cila shpalli tarifat hakmarrëse të premten. Sipas njoftimit, masat e reja hyjnë në fuqi të shtunën.
Kina dhe SHBA ndodhen prej kohësh në një luftë tarifore të ndërsjellë, ku presidenti amerikan Donald Trump vendosi këtë javë edhe më shumë tarifa ndaj Pekinit, ndërkohë që pezulloi tarifat ndaj vendeve të tjera pas reagimit negativ të tregjeve amerikane.
Në total, tarifat që SHBA ka vendosur aktualisht ndaj Kinës arrijnë 145 përqind. Kur Trump shpalli tarifat e reja 125 përqind të mërkurën, ai nuk përfshiu tarifën shtesë 20 përqind për mallrat kineze të lidhura me prodhimin e fentanilit.
Ndërkohë, Ministria e Tregtisë e Kinës njoftoi se ka dorëzuar një padi të re pranë Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), duke sfiduar tarifat amerikane dhe duke akuzuar SHBA-në si përgjegjëse për “turbulencat globale ekonomike” të shkaktuara nga veprimet e Trump-it.
“Masat e SHBA kanë shkaktuar goditje serioze ndaj ekonomisë botërore, tregjeve ndërkombëtare dhe sistemit shumëpalësh të tregtisë,” tha një zëdhënës i ministrisë. “SHBA duhet të mbajë përgjegjësinë e plotë për këtë.”
Ministria i bëri thirrje SHBA-së që të “heqë dorë plotësisht nga tarifat e ashtuquajtura ‘reciproke’ dhe të korrigjojë menjëherë praktikat e saj të gabuara”.
Zëdhënësi shtoi: “Vendimi i SHBA për të rritur vazhdimisht tarifat kundër Kinës është kthyer në një lojë numrash pa asnjë vlerë ekonomike reale dhe do të hyjë në histori si një farsë ekonomike.”
“Megjithatë, nëse SHBA vazhdon të shkelë ndjeshëm interesat e Kinës, atëherë Kina do të kundërpërgjigjet me vendosmëri dhe do të luftojë deri në fund,” përfundoi ai.
Deklarata të forta – por dera për dialog mbetet hapur
Gazetarja e Al Jazeera-s, Katrina Yu, nga Pekini, i cilësoi deklaratat e zyrtarëve kinezë si “shumë të forta”. Megjithatë, ajo theksoi se Kina po i lë një “derë të hapur” dialogut me administratën Trump, duke mbetur e hapur ndaj konsultimeve.
“Sidoqoftë, kërcënimet dhe presioni nuk janë rruga e duhur. Kina po thotë se është e hapur, por sa kohë që SHBA vazhdon me tarifa të larta që Pekini i konsideron si shantazh, atëherë nuk mund të ketë dialog të mirëfilltë dhe as marrëveshje reale,” shtoi Yu.
Ekspertët: Lufta tregtare do të shtyjë inflacionin lart
Profesori Karl Widerquist nga Universiteti Georgetown në Katar tha për Al Jazeera se pret që lufta tregtare mes SHBA dhe Kinës të shkaktojë rritje të menjëhershme të inflacionit. Ai shpjegoi se konsumatorët amerikanë mund të nxitojnë të blejnë mallra përpara hyrjes në fuqi të tarifave, çka do të rrisë kërkesën dhe çmimet në tregje.