FLASH :

Video/Tragjedi në New York: Rrëzimi fatal i helikopterit i merr jetën 6 personave, 5 nga të cilët antarët e një familje

Një familje prej pesë turistësh spanjollë, përfshirë tre fëmijë, kanë humbur jetën pasi helikopteri që po i transportonte ata u rrëzua në Hudson në Nju Jork.
Një zëdhënës i bashkisë së Nju Jorkut identifikoi dy nga të vrarët si Agustin Escobar, president dhe CEO i Siemens Spanjë, bashkëshortja e tij, Merce Camrubi Modal, dhe tre fëmijët e tyre të mitur të moshave 4, 5 dhe 11 vjeç. Agustin Escobar kishte marrë drejtimin e Siemens Spanjë në fund të vitit 2022. Me mbi 25 vite përvojë në pozicione drejtuese në SHBA, Amerikën Latine, Spanjë dhe Gjermani, ai konsiderohej një figurë e respektuar dhe me ndikim në botën e biznesit ndërkombëtar.
Bashkë me 5 anëtarët e familjes u vra edhe piloti i helikopterit.

“Katër viktima u shpallën të vdekur në vendngjarje dhe dy të tjera u dërguan në spitalet e zonës lokale, ku fatkeqësisht të dy nderruan jete nga plagët,” tha policia.
Lesly Camacho, një punëtore në një restorant përgjatë lumit në Hoboken, tha se ajo pa helikopterin duke u rrotulluar në mënyrë të pakontrolluar përpara se të përplasej në ujë.
“Ishte një tufë tymi që dilte. Ai po rrotullohej shumë shpejt dhe u ul në ujë me shpejtesi dhe force,” tha ajo.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së enjtes, kur helikopteri me të cilin po udhëtonin u rrëzua në lumin Hudson, në New York, shkruan cnn.
Vetëm pak çaste para nisjes, Escobar ishte fotografuar duke buzëqeshur pranë familjes së tij, në ato që do të rezultonin të ishin momentet e fundit të jetës së tyre. Në një tjetër fotografi, të gjithë shihen brenda helikopterit Bell 206L-4 LongRanger IV, pak minuta para nisjes së fluturimit fatkeq.

Sipas raportimeve fillestare, helikopteri u rrëzua vetëm 17 minuta pas ngritjes, si pasojë e një defekti teknik humbjes së helikës së bishtit çka çoi në një rënie të pakontrolluar në ujërat e lumit Hudson. Pamjet filmike të publikuara tregojnë momentin dramatik të aksidentit.