Fisi që vret të huajt: Ja beteja për t’i mbajtur influencerat larg zonave te paprekura qe jetojne me izolim total

Në zemër të Oqeanit Indian, në një cep të largët të arkipelagut të Andamaneve, qëndron një nga vendet më të ndaluara në botë: Ishulli North Sentinel – një copëz toke ku koha është ndalur dhe hyrja barazohet me vdekjen.

Kjo tokë e izoluar është shtëpia e Sentinelëve, një fis që ka refuzuar çdo kontakt me botën moderne për mijëra vjet dhe që reagon me dhunë ndaj çdo ndërhyrjeje. Një hap i gabuar në territorin e tyre, dhe shigjetat fluturojnë pa mëshirë. Dhe për YouTuber-in ukrainas, Mykhailo Viktorovych Polyakov, kjo sfidë ndaj ndalimit ligjor dhe etikës njerëzore u bë lajmi i javës.

Vetëm disa ditë më parë, 24-vjeçari u arrestua nga autoritetet indiane pasi udhëtoi fshehurazi drejt ishullit të ndaluar, duke rrezikuar jo vetëm jetën e tij, por edhe ekzistencën e një fisi të tërë – vetëm për disa minuta fame në rrjete sociale. Ai la pas një kanaçe Coca-Cola dhe një kokosi si “dhurata”, për të fituar vëmendjen e fisit më të izoluar në planet.

Ekspertët e kanë dënuar me ashpërsi veprimin, duke e quajtur “të papërgjegjshëm, idiotik dhe potencialisht shkatërrues”. Caroline Pearce nga organizata për të drejtat e indigjenëve Survival International paralajmëron: “Një sëmundje si gripi apo fruthi, për një popull që nuk ka asnjë lloj imuniteti, mund të jetë fundi i tyre”.

Ky nuk është incidenti i parë. Në vitin 2018, misionari amerikan John Allen Chau u vra me një breshëri shigjetash teksa përpiqej t’u predikonte fjalën e Jezusit banorëve të ishullit. Trupi i tij nuk u rikthye kurrë. Më herët, në vitin 2006, dy peshkatarë indianë u therën dhe trupat e tyre u ekspozuan si “shqetësim simbolik”, ndërsa në vitin 1974, një regjisori të National Geographic iu ngul një shigjetë në kofshë gjatë xhirimeve.

Ishulli dhe ujërat përreth janë shpallur zonë e ndaluar nga qeveria indiane sipas ligjit për mbrojtjen e fiseve aborigjene që nga viti 1956. Forcat detare patrullojnë zonën për të ndalur çdo përpjekje kontakti. Por influencues si Polyakov nuk dëgjojnë. Ai përdori një varkë të fryrë dhe GPS për të lundruar 25 milje nga bregu, duke e filmuar gjithçka për ndjekësit e tij në internet.

Fatmirësisht – ose fatkeqësisht – ai ia doli të kthehej gjallë. Por tani përballet me një dënim deri në pesë vjet burg. Indian Navy po heton më tej incidentin dhe ngre alarmin për valën në rritje të “turizmit ekstrem” në emër të klikimeve.

Ndërkohë, Sentinelët vazhdojnë të qëndrojnë në heshtje – larg civilizimit, larg teknologjisë, dhe më të sigurt kur nuk u afrohemi.