Në një intervistë për Euronews, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka komentuar vizitën e kryeministrit Edi Rama në zyrën elektorale të degës numër 2. Ajo e ka krahasuar këtë vizitë me takimin e saj dhe të grupit demokrat disa ditë më parë në shtabin elektoral të PD-së.
Në pamjet nga vizita e Ramës në shtabin e degës nr. 2, vihet re një ambient luksoz ku të pranishëm janë emra të njohur, përfshirë ministren Olta Xhaçka, Sonila Qato – ish-drejtoreshën e Rrugëve e cila është në hetim nga SPAK – si dhe Elton Kaçidhja, të cilin Tabaku e ka cilësuar më parë si “5D-në e Bashkisë”.
Ndërsa zyrat e opozitës janë më modeste, Tabaku shprehet se e mbajnë kokën lart, pasi nuk kanë asnjë njollë mbi ta. ” Edhe pse zyrat mund ti kemi më të vogla dhe modeste, të paktën e kemi kokën lart sepse kemi përballë këta që kanë nga 50 vite burg, të cilët as nuk duhet të na dalin përballë…” tha ajo.
Sipas Tabakut, sistemi i degraduar ekonomik që ka krijuar qeveria nuk prodhon më asgjë për qytetarët dhe oferta që mazhoranca u paraqet njerëzve nuk përmban asnjë vlerë të vërtetë. Pra nuk është luksi ai që përcakton suksesin, por puna e ndershme dhe vlerat që secili përfaqëson.




