Kandidatja për deputete në listën e hapur të Partisë Demokratike për Qarkun e Tiranës, Jorida Tabaku, zhvilloi sot një takim me qytetarët dhe bizneset në zonën e Pazarit të Ri, ku u njoh nga afër me shqetësimet e tyre ekonomike.
Tabaku i pyeti qytetarët nëse paguajnë sot më shumë apo më pak taksa, duke vënë theksin te barra e rëndë fiskale që ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme të çdo familjeje dhe biznesi. “Taksat e larta janë arsyeja pse çdo produkt sot është më i shtrenjtë dhe pse çdo ditë bëhet më e vështirë për të përballuar jetesën,” u shpreh Tabaku, ndërsa prezantoi alternativën e Partisë Demokratike për një sistem taksash më të drejtë dhe më të lehtë për qytetarët.
Çmimi i naftës ishte një tjetër pikë kritike e diskutimeve me qytetarët. “Gjysma e çmimit të naftës që paguan sot qytetari shkon për taksa. Kjo nuk është vetëm padrejtësi, por është një politikë që ndëshkon më të dobëtit,” theksoi Tabaku, duke shtuar se kjo barrë përkthehet më pas në rritjen e çmimeve për çdo produkt tjetër bazë.
Një tjetër problem i theksuar nga qytetarët ishte çështja e pronës. Gjatë një bashkëbisedimi me banorët, një prej tyre rrëfeu se kishte vite që ishte distancuar nga votimi për shkak të problemeve me pronën dhe zhgënjimit nga politika.
Megjithatë, pas një diskutimi të hapur dhe të sinqertë me Tabakun, qytetarja vendosi të ndryshojë qëndrim, duke i dhënë fjalën se këtë herë do të dalë të votojë vetëm për të.
“Të jap fjalën, fjalën Tironse, prej teje do të dal të votoj” shprehet qytetatja teksa i shtrëngon dorën Tabakut dhe i buzëqesh.
Ky moment nënvizoi besimin dhe shpresën që kandidatja e opozitës synon të rikthejë tek qytetarët përmes angazhimit të saj.Tabaku kujtoi angazhimin e saj të vazhdueshëm në Kuvend për mbrojtjen e të drejtave pronësore dhe për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe të drejtë.
“Qytetarët kanë nevojë për një politikë që i dëgjon, i kupton dhe i ofron zgjidhje reale. Është koha që të vendosim qytetarin në qendër të vendimmarrjes,” përfundoi Tabaku.