FLASH :

Shehaj në Shkodër dhe në Lezhë, entuziazëm dhe frymë ndryshimi

Kryetari i “Partia Mundësia”, Agron Shehaj, ka vijuar me takimet me mbështetës dhe kandidatë për zgjedhjet e ardhshme, duke u ndalur këto ditë në qytetet e Lezhës dhe Shkodrës. Takimet janë karakterizuar nga një atmosferë e ngrohtë dhe entuziaste, ku qytetarët e pranishëm, të buzëqeshur dhe plot energji, kanë shprehur mbështetjen e tyre për vizionin e Shehajt. Në rrugët dhe sheshet ku ai ka zhvilluar takime, qytetarët janë parë  duke biseduar mes tyre, duke shkëmbyer ide dhe duke bërë fotografi me liderin politik, ndërsa mes tyre ndodheshin edhe shumë fëmijë, të cilët e shikonin me kureshtje dhe gëzim.

Në fjalën e tij në Lezhë, Shehaj dha një mesazh të fortë drejtuar të rinjve dhe qytetarëve, duke theksuar rëndësinë e përfaqësimit të ndershëm në Parlament.

“Ne nuk mund të lejojmë që e ardhmja jonë të drejtohet nga të korruptuarit apo individë të lidhur me krimin. Ky është objektivi ynë për zgjedhjet e ardhshme, kjo është mundësia jonë për të sjellë ndryshimin”, – u shpreh ai, duke marrë duartrokitje të shumta nga të pranishmit.

Këto takime dëshmuan se mesazhi i Shehajt po gjen jehonë të gjerë tek qytetarët, të cilët shohin tek ai një alternativë të ndershme dhe shpresëdhënëse për të ardhmen e vendit. Një figurë e pavarur, e palëkundur dhe premtuese për të sjellë një frymë të re në politikën shqiptare

Shehaj vijon të forcojë besimin tek Partia Mundësia, ku kujtojmë dhe intervistën e tij të fundit për “Opinion” ku deklaroi se “Partia Mundësia” financohet nga vetë ai, një angazhim që tregon seriozitetin dhe transparencën e tij në politikë.