Një turist anglishtfolës, i cili u përball me një sulmues të armatosur me thikë pas plagosjes së pesë personave në Amsterdam, është cilësuar si një ‘hero i vërtetë’.
Pamje dramatike tregojnë individin duke mbajtur të shtrirë agresorin dhe duke e penguar nga çdo sulm tjetër në rrugën e mbushur me njerëz.
Ngjarja ndodhi pas një sulmi me thikë pranë Sheshit Dam, ku pesë persona u plagosën, përfshirë dy amerikanë, pasditen e djeshme. Ndërsa situata përshkallëzohej, dëshmitarët treguan se panë një ‘thikë të paktën 10 centimetra të futur’ në shpinën e një vajze, midis shpatullave.
Sipas policisë, sulmuesi përdori disa thika gjatë aktit të tmerrshëm.

Deri tani, autoritetet nuk kanë dhënë ndonjë tregues për motivin e sulmit, duke deklaruar se hetimet janë në vazhdim.
Policia dyshon se viktimat janë zgjedhur në mënyrë të rastësishme.
Dëshmitarët thanë se sulmuesi u neutralizua nga kalimtarët përpara se të mbërrinin forcat e rendit. I dyshuari, i cili tashmë është arrestuar, u dërgua në spital me një dëmtim në këmbë.
Raportimet lokale tregojnë se personi që e ndaloi sulmuesin fliste anglisht dhe besohet të jetë britanik, por policia nuk ka konfirmuar origjinën e tij. Ata vetëm kanë deklaruar se ai nuk është shtetas holandez.

Një zëdhënës i policisë së Amsterdamit e cilësoi veprimin e tij si ‘heroik’, sipas gazetës De Telegraaf. Një tjetër zëdhënës tha për AD: ‘Ai bëri një punë të shkëlqyer. Jemi shumë krenarë për të, por duam të theksojmë se duhet të jeni shumë të kujdesshëm në raste të tilla. Shumica e njerëzve nuk janë të trajnuar për diçka të tillë.’

Maarten Brinkm, kreu i sindikatës së policisë ACP, u shpreh: ‘Një duartrokitje e madhe për këtë hero të guximshëm.’
Veprimi i tij ka ngjallur një valë mbështetjeje në rrjetet sociale. Një koment shkruante: ‘Respekt për këtë burrë. Na duhen më shumë heronj si ai.’
Një tjetër shtoi: ‘Hero, ky njeri meriton një medalje!’
Raportet tregojnë se sulmuesi u neutralizua jashtë një fast food-i Febo.
Një punonjës i lokalit i tha The Independent: ‘Dikush e goditi dhe i theu kyçin e këmbës. Ai u rrëzua sepse tentoi të largohej. Mendoj se dikush e goditi edhe në fytyrë. Tingëllon si diçka e merituar.’