Agron Shehaj, po hyn në garën zgjedhore të 11 majit 2025 si një alternativë e re në skenën politike shqiptare me partinë e tij “Partia Mundësia”. Si një kandidat premtues që synon ndryshimin në politikën shqiptare, Shehaj ka qenë i ftuar në një intervistë për emisionin “Opinion” në TV Klan, ku ka ndarë vizionin e tij për politikën shqiptare, qëndrimet e tij ndaj financimit të fushatës dhe marrëdhëniet me partitë e tjera kryesore në vend.
Gjatë intervistës, i pyetur nga drejtuesi i emisionit Blendi Fevziu se Kush e financon fushatën e tij elektorale, Agron Shehaj deklaroi me krenari se do të financojë vetë fushatën e partisë së tij, një veprim që e sheh si një mënyrë për të ruajtur pavarësinë politike.
“Unë e financoj dhe për këtë jam shumë krenar, kjo na dallon nga gjithë të tjerët.”
Kur u pyet nga Fevziu nëse kjo qasje është e drejtë, Shehaj u përgjigj duke kritikuar ligjet ekzistuese për financimin e partive politike, duke i cilësuar ato si mjete të krijuara për të mbajtur situatën në errësirë.
“ Pse s’është e drejtë? Të sqarojmë këtë pjesën e ndalon ligji, s’e ndalon ligji. Ligjet i kanë bërë këta. Ligjet për financimet politike në fushatë elektorale i kanë bërë kastile që mos të merret vesh asgjë, e kanë bërë për të shpëtuar veten… Në rastin më të keq kjo mund të më kushtojë një gjobë, por unë jam i gatshëm të sakrifikoj, mjafton të jem i lirë,” u shpreh ai.
Parti e pa varur, nuk ka bashkim votash
Shehaj u shpreh qartë se partia e tij nuk do të bashkojë votat me Partinë Socialiste për të formuar qeverinë. Po ashtu, ai refuzoi edhe mundësinë e bashkëpunimit me Partinë Demokratike, duke argumentuar se PD-ja nuk po sjell ndryshimin që shqiptarët presin. Ai kujtoi momentin që e nxiti të hynte në politikë, duke përmendur një episod televiziv ku Arben Ahmetaj, sipas tij, “qartësisht po gënjente”.
“Thashë me vete: si mund ta lëmë fatin e vendit në dorë të një mashtruesi?”, rrëfeu ai. Shehaj theksoi se nuk ka hyrë në politikë nga halli, por sepse beson se mund të sjellë një ndryshim real.
Kritika për PD-në
Duke komentuar listat e kandidatëve të Sali Berishës, Shehaj argumentoi se ato nuk janë krijuar për të fituar zgjedhjet, por për të ruajtur kontrollin mbi opozitën.
“Nëse ka një njeri që e di si fitohen zgjedhjet, është Sali Berisha. Dhe po të shikosh vendimet e fundit që ka marrë, sidomos me listat, është e qartë që nuk synon të fitojë zgjedhjet,” tha ai.
Me një qasje të drejtpërdrejtë dhe të pa kompromis, Agron Shehaj po pozicionohet si një kandidat ndryshe në skenën politike shqiptare. Ndërsa fushata elektorale intensifikohet, mbetet për t’u parë se si do të pritet kjo forcë e re politike nga votuesit më 11 maj.