Presidenti Trump e bën realitet kërcënimin e tij: SHBA në të ardhmen do të vendosë një tarifë shtesë prej 25 për qind për të gjitha automjetet që nuk janë prodhuar në SHBA.
“Ky është fillimi i ditës së çlirimit të Amerikës”, deklaroi Donald Trump. Për një kohë të gjatë, vende të tjera kanë abuzuar me SHBA si kuti kursimesh dhe e kanë vjedhur, por kjo tanimë ka marrë fund, tha presidenti amerikan. Në të ardhmen, një tarifë shtesë prej 25 për qind do të zbatohet për të gjitha makinat e importuara – pavarësisht se ku prodhohen në botë ato. “Ato hyjnë në fuqi më 2 prill dhe nga data 3 e tutje do të merren paratë”, deklaroi Trump. Presidenti amerikan siguroi, se këto tarifa nuk janë më të negociueshme, por “të përhershme”.
Trump premton, se tarifat shtesë jo vetëm që do të gjenerojnë miliarda dollarë të ardhura shtesë për SHBA-në – para të mjaftueshme për të ulur taksat dhe për të shlyer malin e borxhit, sipas tij. Edhe industria vendase e automjeteve do të bëhet sërish e madhe, sepse për të shmangur tarifat, prodhuesit e makinave në të ardhmen do të prodhojnë tërësisht në SHBA, beson Trump. “Kjo është shumë emocionuese. Dhe do të çojë në ndërtimin e fabrikave të reja të makinave. Shifra siç nuk i kemi parë kurrë. Edhe për sa i përket vendeve të punës”, tha Trump. Por ai gjithashtu pranon: “E gjitha do të marrë pak kohë.”