Bashkimi Evropian po kërkon që çdo qytetar në bllokun prej 27 shtetesh të ketë një pako mbijetese për emergjenca, përfshirë luftën apo fatkeqësitë natyrore. Paketa do të sigurojë mbijetesën për 72 orë dhe do të përmbajë ujë të pijshëm, ushqime me vlerë të lartë energjetike, dokumente të mbrojtura nga uji, elektrik dore, bateri dhe furnizime të tjera të nevojshme.
Komisionerja e BE-së për Menaxhimin e Krizave, Hadja Lahbib, tha se ky plan do të prezantohet si pjesë e një strategjie më të gjerë për rritjen e gatishmërisë qytetare. Kjo masë vjen në një moment kur liderët evropianë paralajmërojnë se lufta në Ukrainë mund të përshkallëzohet në një konflikt global.
Disa vende nordike tashmë kanë ndërmarrë hapa konkretë, duke shpërndarë manuale për mbijetesën në rast lufte. Franca ka nisur përgatitjet për publikimin e një udhëzuesi kombëtar, ndërsa Norvegjia dhe Suedia kanë nisur stërvitje emergjente për qytetarët. Finlanda, e cila ka një histori të fortë të përgatitjes civile, ka paralajmëruar qytetarët të jenë të gatshëm për çdo skenar krize.

Lahbib theksoi rëndësinë e informimit të qytetarëve për të shmangur panikun, duke kujtuar se gjatë pandemisë, raftet e dyqaneve u zbrazën në mënyrë kaotike. Ndërkohë, disa eurodeputetë kanë kërkuar që BE të bëjë më shumë, duke propozuar shpërndarjen e një manuali të detajuar mbi mbijetesën dhe reagimin ndaj krizave, përfshirë luftën, fatkeqësitë natyrore dhe kërcënimet kibernetike.
Në këtë klimë të tensionuar, shqetësimet për një zgjerim të agresionit rus në Evropë vazhdojnë të rriten, ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi se konflikti nuk mund të kufizohet vetëm në Ukrainë. “Shpresojmë që lufta të mos zgjerohet, por duhet të jemi të përgatitur për çdo skenar,” tha ai.
Përballë këtyre paralajmërimeve, BE po shton masat për të garantuar që qytetarët e saj të jenë të përgatitur për një të ardhme të pasigurt.
