Tiger Woods është bërë shtesa më e fundit në jetën dashurore plot kthesa të Vanessa Trump, pasi çifti i njohur konfirmoi publikisht lidhjen e tyre me një deklaratë tronditëse të dielën.
Duke konfirmuar lajmin e zbuluar ekskluzivisht nga Daily Mail dhjetë ditë më parë, Woods, 49 vjeç, dhe Trump, 47 vjeç, postuan dy foto në rrjetet sociale duke shprehur dashurinë e tyre.
“Dashuria është në ajër dhe jeta është më e bukur me ty pranë meje! Mezi presim udhëtimin tonë së bashku. Në këtë moment, do të vlerësonim privatësinë për të gjithë ata që janë të afërt me zemrat tona,” shkruhej në përshkrimin e postimit të Woods.

Partnerja e re e ikonës së golfit ka pasur një jetë dashurore të trazuar, duke u lidhur më parë me një sërë personazhesh interesante – nga një anëtar bande latine deri te një princ saudit.
Ajo u martua me Don Trump Jr. në vitin 2005 dhe kanë pesë fëmijë bashkë, përpara se të kërkonte divorc të pakontestuar më 15 mars 2018.

Një histori dashurie me kthesa të rrezikshme
Lidhja e parë serioze e Vanessa Trump thuhet se ka qenë me gangsterin e Latin Kings, Valentin Rivera. Çifti u njoh në shkollë, kur ajo mbante ende mbiemrin e vajzërisë, Haydon, dhe qëndruan bashkë për pesë vjet.
Gjatë adoleshencës, Rivera iu bashkua Latin Kings – një bandë rrugore dhe burgu e themeluar fillimisht në Çikago – dhe Trump madje e ndihmonte duke e çuar me makinë në takime dhe në rrugëtimet e tij për trafik droge në New York.
Megjithatë, lidhja e tyre u ftoh pasi Rivera kreu një dënim 16-mujor në burgun famëkeq Rikers Island dhe Vanessa thuhet se filloi të afrohej me aktorin e Hollywood-it, Leonardo DiCaprio.
Kur ishte 16 vjeç, ajo dhe Rivera shkëmbenin letra dashurie ndërsa ai vuante dënimin. Në njërën prej tyre, Vanessa shkruante:
“Më mungon shumë, sidomos tani që po afrohet ditëlindja ime. Do të doja që të ishe këtu për ta festuar me mua.”
“Por do të jesh i lirë për ditëlindjen time të 18-të. Nuk mund të pres deri atëherë, sepse do të ndodhin shumë gjëra. Ditëlindja ime e 18-të, do të jesh përsëri në krahët e mi, matura ime, dhe dua të mbetem shtatzënë e të kem një fëmijë me ty pas janarit,” shkruante ajo në letrën e datës dhjetor 1993, sipas Page Six.
Ata qëndruan së bashku deri sa Vanessa mbushi 20 vjeç. Rivera pretendon se ajo kishte një lidhje me Leonardo DiCaprio pasi e njohu në një klub nate në atë periudhë.

Më vonë, Rivera kreu dënim për vrasje nga pakujdesia pasi qëlloi aksidentalisht një mik të tij. Në vitin 2013, ai u bë “joaktiv” në Latin Kings, sipas raportimeve të Page Six.