Shifrat tregojnë se shërbimet gjatë tremujorit të katërt të vitit të shkuar kanë vijuar me rritje në të gjithë indekset, megjithëse karahauar me tremujorin e tretë ritmi është ngadalësuar. Nga ana tjetër prodhimi duket se ka mbetur në “ngërç” duke shënuar rënie në sektorët më të rëndësishëm.
Rritja e treguesve të shitjes, punësimit apo pagave në sektorin e shëbimeve është kryesisht rezultat i përformancës së mirë të turizmit, i cili ka vazhduar rritjen edhe përgjatë dimrit sipas të dhënave të tjera mbi sektorin. Rritjen më të madhe të shitjeve sa i përket aktiviteteve të shërbimeve e kanë shënuar transporti, bar-restorantet, hotelet dhe agjencitë e udhëtimit. Në shifra konkrete të dhënat për këto aktivitete u rritën me 12.8% për transportin dhe bar-restorantet. Ndërkohë, shitjet neto në volum për hotelet dhe agjencitë e udhëtimit u rritën me 7.9% dhre 7.1% respektivisht.
Numri i të punësuarve në tremujorin e katërt të vitit të kaluar u rrit më shumë për agjencitë e udhëtimit me 12.7%, pasuar nga hotelet me 8.8% dhe informacioni e komunikacioni me 8.7%. Agjencitë e udhëtimit po ashtu mbajnë rekord edhe për rritjen e pagave bashkë me hotelet dhe tregtinë.
Instituti i Statistikave ndër të tjera ka publikuar gjithashtu treguesit tremujorë mbi prodhuesit e të mirave për tremujorin e katërt. Këta tregues sinjalizojnë rënie të indekseve të shitjeve, prodhimit dhe numri të të punësuarve kryesisht në sektorin e industrisë. Ndërkohë, sa i përket sektorit të ndërtimit, indeksi i shitjeve neto në volum shënoi rritje me 2.7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Nga ana tjetër, indeksi i prodhimit në volum shënoi rritje 1.9%, ai i numrit të punësuarve me 1.8% dhe indeksi i fondit të pagave në ndërtim u rrit me 16.9%, e cila është dhe rritja më e madhe për këtë tregues.
Industria nxjerrëse pati rënien më të madhe të prodhimit dhe shitjeve, pasuar nga ajo përpunuese.