Një zhytës është gjetur i vdekur në një labirint famëkeq nënujore pasi u zhduk gjatë një ekspedite.
Policia u thirr në Twin Caves, në zonën rekreative të Blue Springs në Florida, të martën, pasi tre persona nuk u kthyen në sipërfaqe në kohën e duhur.
Twin Caves shtrihet qindra metra në thellësi dhe përmban tre korridore që zbresin edhe më thellë, duke arritur nga 6 metra deri në 30 metra thellësi. Shpella ka gjithashtu disa “tunele kalimi” që hapen në korridore më të gjera.
Ekipet e shpëtimit mbërritën me shpejtësi dhe arritën të nxirrnin dy prej tyre të sigurt rreth orës 13:15 të së martës.
Por zhytësi i tretë, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, u gjet i vdekur brenda sistemit të shpellës. Koroneri po punon për të përcaktuar shkakun e vdekjes.

Sherifi Donnie Edenfield falënderoi ekipet e shpëtimit, përfshirë Jackson County Fire & Rescue, Florida Fish and Wildlife dhe stafin e Cave Adventures, për ndihmën e tyre.
Ai gjithashtu i bëri thirrje komunitetit të mbajë në mendje dhe lutje familjet e zhytësve.
Ndërhyrja e instruktori të zhytjes
Twin Caves ndodhet në fund të liqenit Merritt’s Mill Pond, në një park në qytetin Marianna, rreth 105 kilometra në veriperëndim të Tallahassee.
Instruktori i zhytjes Mehdi Zinetti u fut në shpellë për të kërkuar zhytësit e zhdukur pasi ata nuk ishin kthyer. Ai gjeti fillimisht një nga zhytëset, e cila po përpiqej të gjente shoqen e saj. Zinetti u sigurua që ajo ishte në rregull dhe e pa të dilte vetë nga shpella.
Më pas ai u kthye brenda për të kërkuar zhytësin e tretë të zhdukur, ndërsa eksperti i njohur botëror i zhytjeve në shpella, Edd Sorenson, ishte në rrugë për të ndihmuar në operacionin e shpëtimit.

Sipas Sorenson, sistemi kompleks i shpellës u lejon zhytësve të dalin në sipërfaqe pa u parë, gjë që e vështirëson ndihmën nga jashtë.
Por kur Zinetti u kthye në sipërfaqe dhe nuk e pa ende shokun e zhytëses, ai u fut sërish në shpellë, pavarësisht rezervës së kufizuar të ajrit.
“Ai mendoi se, meqë kishte shumë drejtime të mundshme, ndoshta e kishte humbur dhe se ai kishte dalë i sigurt. Por kur doli jashtë, ai ende nuk ishte aty, kështu që u fut përsëri,” tha Sorenson për një stacion televiziv.
Ai shtoi se Zinetti ishte në një situatë me “pamje zero të plotë”, duke u detyruar të orientohej vetëm me ndjesinë e prekjes. Pas një kërkimi intensiv, ai arriti ta gjente viktimën dhe ta nxirrte nga shpella.
Kur Sorenson mbërriti në vendngjarje, autoritetet tashmë kishin nxjerrë trupin e zhytësit të vdekur dhe po bënin përpjekje për ta rikthyer në jetë me CPR, ndërsa një helikopter urgjence ishte nisur drejt vendit. Por, për fat të keq, nuk kishte më asgjë që mund të bëhej për ta shpëtuar.
Sipas Sorenson, kjo ishte hera e parë që Zinetti kishte marrë pjesë në një operacion të shpëtimit apo rikuperimit të një trupi të pajetë.







