Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë qindra robër lufte
Rusia dhe Ukraina shkëmbyen secila nga 175 robër lufte, të mërkurën, në një nga shkëmbimet më të mëdha që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia tre vjet më parë.
Ushtarët e liruar u kapën në shumë rajone, duke përfshirë Mariupol, fabrikën e çelikut Azovstal, Donetsk, Luhansk, Kherson, Kharkiv, Mykolaiv, Zaporizhzhia, Sumy dhe madje edhe Kursk.
Pasi të burgosurit u liruan në kufirin verior të dy vendeve, ata u dërguan në një spital në Chernihiv të Ukrainës, ku familjet prisnin mbërritjen e tyre.

Izraeli nis operacion tokësor për të ripushtuar rripin e Gazës
Izraeli ka nisur atë që po e quan një “operacion të kufizuar tokësor” për të rimarrë një pjesë të korridorit kyç Netzarim, brezi i tokës i krijuar nga IDF që shkon nga kufiri izraelit në Detin Mesdhe dhe ndan Gazën në dy pjesë.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, paralajmëroi se ushtria do të intesifikojë sulmet, duke i dhënë fund armëpushimit dy mujor.

Në një deklaratë Katz tha gjithashtu: “Sulmi i forcave ajrore kundër terroristëve të Hamasit ishte vetëm hapi i parë. Pjesa tjetër do të jetë shumë më e vështirë dhe ju do të paguani çmimin e plotë.”
Zelensky dhe Trump gjejnë “gjuhën e përbashkët”
Presidenti i SHBA, Donald Trump, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ranë dakord të mërkurën të punojnë së bashku për t’i dhënë fund luftës së Rusisë me Ukrainën, në atë që Shtëpia e Bardhë e përshkroi si një telefonatë “fantastike” një orëshe.
Në bisedën e tyre të parë që nga takimi në Zyrën Ovale më 28 shkurt, Zelensky falenderoi Trump për mbështetjen e SHBA-së dhe të dy udhëheqësit ranë dakord që ekipet teknike të takohen në Arabinë Saudite në ditët në vijim.
Po ashtu, Zelensky kërkoi që SHBA të mos ndalojë ndihmat ndaj Ukrainës.

Trump paralajmëron sërish Iranin: “Pranoni marrëveshjen, ose pasojat do jenë të rënda”
Tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara kanë hyrë në një fazë delikate, ndërsa mbetet ende e paqartë nëse afati dy-mujor i përcaktuar për një përgjigje zyrtare ka nisur nga momenti i dorëzimit të letrës së presidentit Trump apo do të fillojë vetëm kur të hapen negociatat për këtë çështje specifike.
Në rast se Teherani refuzon propozimin amerikan dhe nuk pranon të ulet në tryezën e bisedimeve, rreziku për një ndërhyrje ushtarake nga SHBA ose Izraeli ndaj objekteve bërthamore iraniane pritet të rritet ndjeshëm.
