FLASH :

Trupat e astronautëve të shpëtuar nga hapësira tronditin botën, Çfarë i ndodh trupit të njeriut pas 286 ditësh larg Tokës

Pasi kaluan 286 ditë të vështira në Stacionin Ndërkombëtar Hapësionor (ISS), astronautët e NASA-s, Butch Wilmore dhe Suni Williams, janë rikthyer në Tokë, por trupat e tyre kanë ndryshuar ndjeshëm. Pamjet e dy astronautëve të nxjerrë nga kapsula e SpaceX treguan një dobësim të dukshëm fizik, me trupat e tyre të rraskapitur dhe të paaftë për të qëndruar në këmbë pa ndihmën e stafit mjekësor. Ky rikthim dramatik ka sjellë në vëmendje ndikimin e frikshëm të hapësirës mbi trupin e njeriut.

Dobësimi ekstrem dhe humbja e muskujve

Një nga efektet më të rënda të qëndrimit në hapësirë është humbja e masës muskulore dhe forcës fizike. Pa gravitetin e Tokës, muskujt e njeriut nuk përdoren në të njëjtën mënyrë si në Tokë, duke u atrofizuar me kalimin e kohës. Edhe pse astronautët ushtrohen dy orë në ditë, kjo nuk mjafton për të parandaluar humbjen e forcës. Studimet tregojnë se një astronaut që kalon gjashtë muaj në hapësirë humb rreth 50% të forcës së tij. Kjo është arsyeja pse Wilmore dhe Williams u detyruan të dilnin nga kapsula me ndihmën e mjekëve dhe të transportoheshin në barelë.

Probleme me kockat dhe rreziku i frakturave

Graviteti në Tokë luan një rol thelbësor në forcimin e kockave. Në mungesë të tij, dendësia kockore zvogëlohet me kalimin e kohës, duke e bërë skeletin më të brishtë dhe të ndjeshëm ndaj frakturave. Shkencëtarët kanë zbuluar se astronautët që kalojnë periudha të gjata në mikrogravitet humbasin 1% deri në 2% të dendësisë së tyre kockore çdo muaj, një rënie që është dy herë më e shpejtë se ajo që vërehet tek të moshuarit me osteoporozë. Rikuperimi i kockave mund të zgjasë muaj apo edhe vite, dhe për disa astronautë, nuk rikuperohet kurrë plotësisht.

Efekte të rrezikshme në tru dhe shikim

Një problem serioz i raportuar nga astronautët është sindroma e quajtur SANS (Spaceflight Associated Neuro-ocular Syndrome). Pasi kalojnë kohë të gjatë në hapësirë, lëngjet në trupin e tyre fillojnë të lëvizin drejt kokës, duke shkaktuar presion mbi nervin optik dhe ndryshime të formës së syrit. Si pasojë, astronautët shpesh ankohen për shikim të turbullt, i cili në disa raste mund të mbetet i përhershëm. Studimet tregojnë se mbi 70% e astronautëve pësojnë ndryshime të shikimit pas kthimit në Tokë.

Përveç problemeve me sytë, ndryshimet e presionit dhe mungesa e gjumit mund të shkaktojnë gjithashtu ndikime në trurin e astronautëve, duke ulur kapacitetin e tyre për të përpunuar informacionin dhe duke rritur rrezikun e problemeve neurologjike në afatgjatë.

Ekspozimi ndaj rrezatimit hapësinor dhe rreziku i kancerit

Jeta në hapësirë nuk është vetëm e vështirë nga mungesa e gravitetit, por gjithashtu e rrezikshme për shkak të ekspozimit të madh ndaj rrezatimit kozmik. Në vetëm një javë në ISS, astronautët marrin po aq rrezatim sa një njeri në Tokë merr brenda një viti. Ky rrezatim mund të shkaktojë ndryshime gjenetike, duke rritur rrezikun e zhvillimit të kancerit, problemeve me sistemin nervor qendror dhe sëmundjeve të zemrës.

Rikuperimi: Një rrugë e gjatë dhe e vështirë

NASA ka një program të posaçëm rehabilitimi për astronautët që kthehen nga hapësira. Ky program zgjat 45 ditë dhe përfshin ushtrime intensive fizike, terapi për rivendosjen e funksioneve motorike dhe dieta të posaçme për të ndihmuar trupin të rikuperohet. Pavarësisht përpjekjeve të NASA-s, shumë astronautë nuk arrijnë të rikuperojnë plotësisht densitetin e tyre kockor, forcën muskulore apo gjendjen e trurit pas kthimit nga hapësira.

A jemi gati për misione më të gjata?

Ndërsa njeriu synon eksplorimin e Marsit dhe misione më të gjata në hapësirë, efektet shkatërruese të mikrogravitetit dhe rrezatimit janë ende sfida madhore. Ekspertët po përpjekin të gjejnë mënyra për të mbrojtur astronautët, por për momentin, hapësira mbetet një vend ekstremisht i rrezikshëm për trupin e njeriut.

Ndiqni më poshtë videon e Astronautëve kur dalin nga rraketa :