Franca vendos aeroplanë bërthamorë pranë kufirit Gjerman, Macron tregon muskujt

Presidenti Emmanuel Macron ka shpallur vendosjen e avionëve luftarakë Rafale F5 të pajisur me raketa bërthamore hipersonike pranë kufirit gjerman, si pjesë e strategjisë për një mburojë bërthamore europiane.

Gjatë një vizite në bazën ajrore Luxeuil-Saint-Sauveur, Macron konfirmoi investimin mbi 1.5 miliardë euro për modernizimin e bazës, duke e kthyer atë në një nga objektet më të avancuara ushtarake franceze. Aeroplanët Rafale F5, të armatosur me raketa ASN4G me shpejtësi mbi 5,000 km/h, pritet të vendosen aty deri në vitin 2035.

Ky hap vjen në sfondin e agresionit rus në Ukrainë dhe pasigurisë për angazhimin e SHBA-së në mbrojtjen e Europës nën presidencën e Donald Trump. Macron ka shtuar buxhetin e mbrojtjes dhe ka propozuar që arsenali bërthamor francez të shërbejë si garanci sigurie për vendet europiane.

Ndërkohë, Gjermania po miraton një plan masiv investimesh për mbrojtjen, duke u larguar nga kufizimet e borxhit të vendosura pas krizës financiare të 2008-ës. Kancelari i ardhshëm Friedrich Merz e ka cilësuar këtë si hapin e parë drejt një mbrojtjeje europiane më të pavarur.

Analistët paralajmërojnë se kapaciteti bërthamor europian është ende larg fuqisë së Rusisë, e cila zotëron mbi 5,000 koka bërthamore. Ekspertët theksojnë se për të mbushur boshllëkun, Franca dhe Britania duhet të rrisin arsenalin e tyre dhe të forcojnë autonominë strategjike.