Kosova, Shqipëria dhe Kroacia më 18 mars nënshkruan një deklaratë në Tiranë, përmes së cilës vendet angazhohen që të forcojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, zhvillim që ka nxitur reagime në Serbi, që e cilësoi si “provokim të hapur” drejtuar Beogradit.
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci e nënshkroi këtë deklaratë së bashku me homologun nga Shqipëria, Pirro Vengu dhe atë kroat, Ivan Anushiq.
“Duke u bazuar në vlerat tona të përbashkëta, në orientimet e njëjta gjeostrategjike dhe në angazhimet e ndërsjella për bashkëpunim rajonal, Shqipëria, Kroacia dhe Kosova angazhohen për forcimin e bashkëpunimit dhe avancimin e hapave për mbrojtjen e territoreve dhe popujve tanë, për të kontribuar në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, si dhe në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes”, tha Maqedonci pas nënshkrimit të deklaratës.
Sipas tij, të tri shtetet do të punojnë që të rrisin ndërveprueshmërinë mes ushtrive përmes edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve të përbashkëta, do të angazhohen që të luftojnë kërcënimet hibride si dhe do të koordinojnë politikat për integrime euroatlantike.
“Ky bashkëpunim nuk është kërcënim për askënd, por një angazhim shtesë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal në Ballkanin Perëndimor. Bashkë me Shqipërinë dhe Kroacinë, Kosova është më e fortë, rajoni më i sigurt dhe paqja më e qëndrueshme”, tha Maqedonci.
Shqipëria dhe Kroacia janë vende anëtare të NATO-s, organizatë ku Kosova synon që një ditë të anëtarësohet.