6 punonjëse të një magazinë te Rossmann & Lala në autostradën Tiranë-Durrës nuk janë ndjerë mirë si pasojë e një arome të rëndë në ambientet e punës dhe kanë përfunduar në spital. Policia nisi hetimet dhe nga dëshmitë e marra thuhet se rasti është i përsëritur, por hetimet pritet të përcaktojnë shkakun.
Gjashtë punonjëse në një magazinë në pronësi të “Rossmann & Lala” në autostradën Tiranë-Durrës, gjatë ditës së djeshme morën trajtim në një spital privat në Tiranë me probleme respiratore, por për fat të mirë pa probleme serioze
Punonjësit janë ndjerë keq gjatë punës së martën në magazinë, kur kanë ndjerë një aromë të rëndë dhe pak çaste me vonë nuk janë ndjerë mirë.
Mbetet e paqartë deri tani çfarë e ka shkaktuar aromën e rëndë në magazinë, pasi aty nuk bëhet mbushje e produkteve, por vetëm paketim, i cili më pas shpërndahet nëpër pikat e tjera në vend si formë e furnizimit. Për të zbuluar se çfarë ndodhi, policia nisi hetimet dhe i dërgoi materialet procedurale në Prokurorinë e Tiranës.
Nga marrja në pyetje që grupi hetimor ka bërë, është mësuar që aroma e rëndë është ripërsëritur edhe një herë tjetër para disa muajsh, por pa probleme. I vetmi objekt që ndodhet i ri në magazinë është ashensori, tek i cili janë dyshimet paraprake, megjithatë hetimet në vijim do përcaktojnë shkakun real.