Spiunazhi është një kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës dhe arrestimet e fundit vetëm se nxjerrin në pah rrezikun e vazhdueshëm, thonë ekspertët. Sipas tyre, ky aktivitet jo vetëm që destabilizon vendin brendapërbrenda, por dëmton edhe pozitën e tij ndërkombëtare. Institucionet, në anën tjetër, janë kryesisht të heshtura për përmasat e problemit.
Ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Burim Ramadani, e konsideron spiunazhin si një prej kërcënimeve kryesore të sigurisë kombëtare në vend.
Arrestimet e fundit, por edhe procedurat e tjera penale kundër disa të dyshuarve tregojnë, sipas tij, se sa e cenueshme është Kosova ndaj aktiviteteve të tilla të inteligjencës së huaj.
“Dëmet që synohen të shkaktohen, janë ato që e nxjerrin Kosovën keq jashtë dhe e vendosin atë nën tension përbrenda”, thotë Ramadani për Radion Evropa e Lirë.
Më 28 shkurt të këtij viti, nën dyshimet për spiunazh u arrestua Jellena Gjukanoviq nga komuniteti serb në veri të Kosovës.