FLASH :

Disa fakte mbi paktin e fshetë Rama-Berisha për të ruajtur status-quonë anti-SPAK

Sali Berisha ia dhuroi një herë detin grekëve, si ta kishte të babës, në kohën kur ishte kryeministër. Nëse opozita e asokohe nuk do të kishte aktivizuar Gjykatën Kushtetuese, çështja do të ishte mbyllur dhe arkivuar prej kohësh.

Një tradhti më të lartë kombëtare është vështirë të kthehesh në kohë pas dhe ta gjesh.

Në grahmat e fundit të jetës së tij politike, Sali Berisha po mundohet të riciklojë të gjitha të këqijat e së kaluarës së tij të errët politike edhe një herë.

Me shpresën për të përfituar çdo çikërrimë konsensusi, nga kushdo që është kundër Edi Ramës, ai është bërë sërish laro i grekëve dhe i Dules, që po e përdorin për interesat e njohura ogurzeza panheleniste në vendin tonë.

Me lëvizjet e tij politike për përfshirjen e mundshme të djalit të Fredi Belerit në kampin e tij politik në zgjedhje, pra të personit që nuk e ka shlyer ende barrën e akuzës së rendë të pjesëmarrjes në vrasjen e disa ushatërve kufitarë shqiptarë nga një grup ekstremist grek, në kohën kur Berisha ishte president, si dhe me deklaratën se po të jetë ai kryeministër do ta zgjidhë çështjen e detit me fqinjët dhe se do të ketë me ta, marrëdhënie më të mira, ndryshe nga orientimi që sipas tij Rama ka drejt Stambollit dhe Erdoganit, Saliu po prek fundin e degradimit personal moral. Edhe makiavelizmi ka një sens. Për shembull, francezët e krishterë u bënë me turqit myslimanë për të patur supremaci ndaj rivalëve evropianë po të krishterë në një kohë kur kjo qe e paimagjinueshme, por nuk u bënë me persët për shembull që do të kërcënonin edhe vetë ekzistencën e tyre. Pra që qëllimi të justifikojë mjetet, duhet mençuri dhe jo komicitet.

Se kush kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten armiqtë e vërtetë të shqiptarëve në rajon, këtë e di i madh e i vogël.

Por që të pozicionohesh krah këtyre armiqve, kjo është edhe arsyeja se persë këta armiq vazhdojnë të ekzistojnë edhe sot, pikërisht sepse kanë gjetur tokë pjellore sharlatanësh që shiten për një kockë qysh nga hera.

Kjo histori përsëritet edhe sot.

Berisha dhe Partia Demokratike nuk kanë as strategji, as ide dhe motivimin për t’u rikthyer në pushtet, një pushtet që i ka gërryer dhe i ka bërë të duken disa idiotë grotesë që vetëm vjedhin dhe nuk bëjnë as punë, ndryshe nga rilindasit me “r” të butë, që ndonjë punë e bëjnë, por që vjedhin me frak dhe kollaro, pra me klas, çka është edhe më e ndyrë, sep[se të paktën nga të parët e pret, kurse nga mashtruesit me kollare, munet vetëm të gënjehesh bukur.

Plani i vetëm i opozitës, nëse mund të quhet i tillë, është të presin në një qoshe si mumje politike, me shpresën që qeveria të gërryhet aq shumë nga skandalet dhe korrupsioni, sa që pas 15 e kusur vjetësh, duke qenë se skena politike e kapur nga dy mamuthet nuk prodhon dot alternativa, do të mbërrijë sërish ora që kufomat politike të rikthehen për të kafshuar coftinat e fundit të pushtetit që ka mbetur.

Teoria e dyte është se Berisha e di se me kalkulimet edhe më optimiste ai nuk kthehet më në pushtet, madje me kartën anti nacionaliste shqiptare, ai rrëmon që Rama të qëndrojë në pushtet. Duke i siguruar këtij të fundit një aleancë të fshehtë ose jo mes tyre, që Edvini të mbretërojë, kurse Saliu t’i mbylli zullumet me pakë gjë, në mënyrë që të dyja palët të ruajnë plaçkën e vjedhur.

Kjo tezë nuk është më edhe aq fantazioze, po të shohësh retorikën në rritje të të dy lidëreve, kundër SPAK-ut dhe drejtësisë së re, ku tashmë po hedhin teza se ajo duhet kontrolluar, duhet një palë garante që ta bëjë të paanshme dhe të besueshme, e kështu me radhë.

Thjesht ndodhi’ të ditarit të kohës kur po shkëputemi një herë e mirë nga një nga klasat më të turpshme politike të historisë së Shqipërisë shtet.

Dinozaurët e fundit të mbetur, pasi u krekosën se kontribuan në ndërtimin e krijesës së tyre të re, me shpresën subjektive se nuk do të vinte kurrë radha e tyre, tashmë që shohin që ora po troket për ta, janë në panik dhe janë kompaktësuar në trekëndëshin keqbërës Rama-Meta-Berisha, në betejën e tyre donkishoteske kundër drejtësisë së pavarur, që pritet të bëjë për herë të parë në demokraci, atë që drejtësia italiane bën herëpashere në mënyrë ciklike, pastrimin e klasës politike, nga elementë të gjithëpushtetshëm që me akumulimin e pa fre të pushtetit, rrezikojnë të kthehen në tiranë.

Ditë të mira duket se na presin, kur korbat janë mbledhur dhe po këndojnë për veten.