FLASH :

Besian Pesha dhe kontrolli mbi opozitën e re shqiptare: Një lojë politike e njohur.

Nga Alketa Kamenica

Në politikën shqiptare, fenomeni i krijimit të alternativave të reja shpesh ka rezultuar një riciklim i të njëjtave figura dhe strukturave të financuara nga aktorë të njohur ndërkombëtarë. Koalicioni i sapokrijuar “Nisma Shqipëria Bëhet”, i përbërë nga Nisma Thurje dhe Shqipëria Bëhet, duket të jetë një tjetër përpjekje për të rindërtuar një formë të re të opozitës, por me të njëjtët lojtarë në prapaskenë. Në qendër të këtij procesi është Besian Pesha, një figurë e njohur për lidhjet e tij me fondacionet e George Soros, i cili duket se po merr drejtimin de facto të kësaj lëvizjeje politike.

Në filozofinë politike, koncepti i hegemonisë kulturore i Antonio Gramsci-t shpjegon se si një grup i caktuar arrin të mbajë pushtetin jo vetëm përmes mjeteve shtetërore, por edhe përmes kontrollit të narrativave politike dhe strukturave shoqërore. Pesha, si një nga eksponentët kryesorë të rrjeteve të financuara nga Sorosi në Shqipëri, duket se po aplikon pikërisht këtë teori, duke krijuar një koalicion politik të menaxhuar nga prapaskena, i cili synon të zëvendësojë opozitën tradicionale me një strukturë më të kontrollueshme dhe të pranueshme për grupet ndërkombëtare që e mbështesin.

Ndërsa formalisht koalicioni ka një drejtues, Adriatik Lapaj, pozicioni i tij në këtë strukturë është gjithnjë e më i paqartë. Për më tepër, shqetësimet lidhur me deklarimin e të ardhurave të Shqipëria Bëhet dhe lidhjet e këtij koalicioni me individë të dënuar për korrupsion, si Besian Pesha, krijojnë dilema mbi integritetin e kësaj lëvizjeje. Në këtë kontekst, Lapaj rrezikon të bëhet një figurë simbolike, ndërsa fuqia reale politike dhe strategjike mbetet në duart e Peshës dhe grupit të tij të ngushtë.

Një tjetër aspekt që vlen të theksohet është rolit i trashëguar nga lëvizja “Mjaft!”, një strukturë aktiviste e krijuar në fillim të viteve 2000, nga e cila kanë dalë Erion Veliaj, Besian Pesha dhe shumë nga eksponentët e sotëm të këtij koalicioni. Me daljen e Veliajt nga loja politike aktive, ish-bashkëpunëtorët e tij po tentojnë të riintegrohen në skenën politike në një formë të re. Pano Soko dhe Endri Shabani, dy drejtuesit e Nisma Thurje, janë të lidhur fort me këtë rrjet dhe pa ndërhyrjen e Peshës, mbetet e paqartë nëse mund të sigurojnë mbështetje të mjaftueshme elektorale.

Duke marrë parasysh të gjitha këto elemente, koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” duket të jetë më shumë një projekt i menaxhuar politikisht nga prapaskena, sesa një alternativë autentike opozitare. Nëse ky eksperiment politik do të arrijë të bindë elektoratin mbetet për t’u parë, por një gjë është e sigurt: struktura të caktuara vazhdojnë të kërkojnë mënyra për të mbajtur hegemoninë politike, edhe kur përfaqësuesit e tyre të mëparshëm dalin jashtë loje.