Qeveria e re në Serbi me shumë gjasa do të formohet brenda 40 ditëve të ardhshme, deklaroi sot presidenti serb, Aleksandër Vuçiç duke nënvizuar se ekzekutivi i ri do të jetë i fokusuar më së shumti në frontin ekonomik, në mbështetje të zhvillimit dhe rritjes.Duke folur në një takim me sipërmarrës dhe biznesmenë në Dhomën Serbe të Tregtisë, Vuçiç tha se qeveria e ardhshme do të përbëhet nga njerëz shumë kompetentë që janë në gjendje t’i përgjigjen sfidave të shumta të këtyre kohërave.
Qeveria serbe ka qenë në krizë që nga dorëheqja e kryeministrit, Milosh Vuçeviç, në fund të muajit janar, nën presionin e lëvizjes studentore.
”Protestat po destabilizojnë situatën politike dhe ekonomike në Serbi për dy arsye: stabiliteti jo i plotë politik dhe një rënie e fluksit të investimeve të huaja, të cilat në 50 ditët e para të vitit 2025 ishin në nivelin më të ulët në gjashtë vitet e fundit”, deklaroi Vuçiç.