Kryeministri Edi Rama duket i çoroditur. Herë thotë që e bëri ai të mundur drejtësinë e re dhe SPAK-un dhe ju mundësoi atyre pavarësinë që kanë sot, e herë iu tregon se çfarë duhet të bëjnë e si duhet të sillen këto institucione, si në rastin kur iu tregoi se si dhe kujt gazetarëve duhet apo nuk duhet ti japin lajme mbi dosjet hetimore.
Kjo ndërhyrje e pushtetit ekzekutiv në atë gjyqësor, është një shkelje e rendë e parimit të balancimit dhe pavarësisë që duhet të kenë këto dy pushtete nga njëri tjetri, qoftë në normat e drejtësisë së vendeve perëndimore, edhe në normat kushtetuese shqiptare, ku kjo gjë sanksionohet qartë.
Kryeministri është bërë aq i gjithëpushtetshëm këto kohë, sa duket se është penduar që e paska krijuar ai SPAK-un dhe tashmë, duket se dëshiron t’ia marrë për vete të gjitha funksionet dhe punët e përditshme teknike.
I shqetësuar se kush do të jetë garanti i drejtësisë së re, duke nënkuptuar se më parë ishte administrata Biden, kurse ajo Trump nuk dihet se ç’do të bëjë, Rama po kërkon që të dalë ai garant për drejtësinë, duke shkelur kështu parimin e asnjanësisë.
Sistemin gjyqësor e kontrollon dhe e gjykon po sistemi gjyqësor, një parim që kryeministri Rama nuk po e tret dot.